Drejtësia amerikan ngre akuzë për aleatin e vjetër të Donald Trump

schedule07:36 - 13 Nëntor, 2021

schedule 07:36 - 13 Nëntor, 2021

Departamenti amerikan i Drejtësisë ngriti të premten akuza ndaj Steve Bannon, një aleat i vjetër i ish presidentit amerikan, Donald Trump, për shpërfillje të Kongresit, pasi ai sfidoi një fletëthirrje të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve, që po heton trazirat e 6 janarit në Kapitol.

Departamenti i Drejtësisë tha se Steve Bannon, 67 vjeç, akuzohet për refuzimin e paraqitjes për deponim dhe për refuzimin e dhënies së dokumenteve në përgjigje të fletëthirrjes së komisionit. Nuk ishte menjëherë e qartë se kur do të mund të dilte para gjykatës.

Aktakuza u ngrit pak pasi ish shefi i Kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows, kundërshtoi të premten një fletëthirrje të ngjashme nga komisioni. Kryetari i komisionit, ligjvënësi Mississippi, Bennie Thompson, tha se ai do të rekomandojë akuza për shpërfillje kundër zotit Meadosws javën e ardhshme.

Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, tha se akuza kundër zotit Bannon pasqyron “përkushtimin e palëkundur” të Departamentit të Drejtësisë për të siguruar që departamenti t’i përmbahet sundimit të ligjit.

Avokati i zotit Bannon nuk iu përgjigj menjëherë një mesazhi që kërkonte koment prej tij.

Kjo nuk është hera e parë që Steve Bannon përballet me ligjin. Në muajin gusht të vitit të kaluar, ai u arrestua nën akuzat se së bashku me tre bashkëpunëtorët e tij grabitën donatorët, duke u përpjekur të financonin një mur në kufirin jugor. Ish presidenti Trump më vonë e fali zotin Bannon në orët e fundit të presidencës së tij./ VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!