Dramë për Uzunin e Hebajn, Memolla shfaqet si goleador

schedule23:48 - 27 Shtator, 2019

schedule 23:48 - 27 Shtator, 2019

Myrto Uzuni dhe Lirim Kastrati u aktivizuan si titullarë në derbin përballë Dinamo Zagreb. Dyshja ofensive nuk arriti të ndihmojë Lokomotivën në këtë ndeshje të vështirë, që u mbyll me fitoren 0-4 të Dinamos.

Ky trepikësh e ngjit Dinamon në krye bashkë me Hajduk Split (me nga 19 pikë), ndërsa Lokomotiva e Zagrebit renditet e katërta me 14 pikë. Beratasi i kombëtares u ndërrua nga trajneri Goran Tomic në minutën e 64-t, ndërsa Jon Mersinaj e ndoqi takimin nga stoli.

Humbje me “poker” golash pësoi edhe Rubin Hebaj. Sulmuesi shkodran ishte titullar i Vorskla Poltava në përballjen me Shakhtar Donetsk. Hebaj u largua nga loja në minutën e 64-t, duke i lënë vendin Denys Vasin. Kjo humbje e mban Vorsklan në vendin e tretë nga fundi me 7 pikë, ndërsa Shakhtari kryeson me 27 pikë të plota pas javës së nëntë.

Fitore dhe gol për Hysen Memollën. Mbrojtësi i KPV Kokkola shënoi golin e dytë në minutën e 33-të në fitoren 0-2 përballë SJK në transfertë. Ky ishte goli i dytë në kampionatin finlandez për 27-vjeçarin nga Kavaja.

Përballë ishte Mehmet Hetemaj, i cili nuk arriti të evitonte humbjen e SJK. 31-vjeçari i lindur në Skenderaj është pjesë e SJK prej vitit 2015 dhe numëron një gol të shënuar në 7 ndeshje me kombëtaren e Finlandës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!