Një tragjedi e vërtetë ka ndodhur në futbollin serb. Trajneri i skuadrës së Radniçki, Mladen Zhizhoviç humbi jetën në fushë gjatë ndeshjes së kampionatit.
Vetëm 45 vjeç, tekniku boshnjak ra pa ndjenja kuir kishin kaluar vetëm 22 minuta lojë në ndeshjen kundër Mlladost.
Pavarësisht ndihmës së parë në fushë dhe dërgimit me urgjencë në spital, nuk mund të bëhej asgjë për të shpëtuar jetën e Zhizhoviç, që sipas mediave serbe u godit nga një emoragji cerebrale.
Ndeshja u ndërpre, ndërsa Federata Serbe e Futbollit e cilësoi këtë ngjarje të rëndë si një “humbje për të gjithë komunitetin e futbollit në vend”.
I lindur në vitin 1980, Mladen Zhizhoviç ishte një figurë e respektuar e futbollit ballkanik.
Si lojtar ai kishte luajtur me Zrinjski Mostar dhe Banja Luka në Bosnje si dhe me kombëtaren e vendit të tij.
Po ashtu, Zhizhoviç ka luajtur edhe me Tiranën në Shqipëri, duke fituar edhe Kupën në vitin 2011.
Pas tërheqjes si futbollist, ai nisi një karrierë si trajner, ndërsa pas disa sukseseve në kampionatin boshnjak, në korrik të këtij vitit mori drejtimin e Radniçki në Serbi, ku edhe humbi jetën në fushën e lojës.

