Futbolli ishte pasioni i tij më i madh. Fushat e blerta i kishte prekur që në fëmijëri, por pa arritur të bënte karrierë si profesionist. Pas aventurave me disa skuadra në kategoritë inferiore, Bledar Hajdari vazhdoi të luante në futbollin amator si pjesë e FC Dajti në kampionatit më nëntë lojtarë “Sunday League” që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit. Por pasioni i tij do të ndërpritej në mënyrën më dramatike të mundshme, pasi në moshën 28 vjeçare, një atak kardiak do t’i merrte jetën në fushë.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së martës në “Shtëpinë e Futbollit”.
Gjatë sfidës mes FC Dajtit dhe FC Lumninesen, Bledar Hajdari shfaqi probleme shëndetësore dhe u rrëzua në fushë.
Pasi mori ndihmën e parë ai u dërgua me urgjencë në spitalin e traumës, por nuk mund të fitojë sfidën e tij më të rëndësishme, atë për jetën.
Në njoftimin shpërndarë për mediat, Federata Shqiptare e Futbollit ka përshkruar ngjarjen e rëndë, duke shprehur ngushëllimet për familjen dhe skuadrën e Bledar Hajdarit.
Kjo është vdekja e dytë tragjike në fushat e futbollit shqëiptar në më pak se dy vite.
Më 11 nëntor të vitit 2023, sulmuesi i Egnatia, Rafael Duamena humbi jetën pas një ataku kardiak në ndeshjen e Kategorisë Superiore.