Draft-konluzionet e BE: Shqipëria nuk ka plotësuar 5 nga 6 kushtet për hapjen e negociatave

schedule17:33 - 30 Nëntor, 2020

schedule 17:33 - 30 Nëntor, 2020

Shqipëria nuk ka plotësuar 5 nga 6 parakushtet e përcaktuara për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, që shënon hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit me BE-ne. Kjo reflektohet qartë në draft-konkluzionet e ambasadorëve të Bashkimit Europian.

Siç raporton gazetarja Erisa Zykaj, zbatimi i Reformës Zgjedhore është kryefjalë e parakushteve për hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit. Në vlerësimin e shteteve anëtare, reforma zgjedhore nuk mund të konsiderohet si e përfunduar pa bashkëpunimin e palëve për zbatimin e saj dhe transparencën për financimin e partive politike.

Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë konsiderohen si jo funksionale nga shtetet anëtare.

Shtetet anëtare vlerësojnë gjithashtu, se byroja Kombëtare e Hetimit nuk është krejtësisht funksionale. Po ashtu kërkohet zbatimi i planit të veprimit për të adresuar rekomandimet e Task Forcën per Veprimin Financiar dhe ndryshimi i ligjit për median online në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

LEXO EDHE: Bllok Shqipërisë dhe Maqedonisë, 27 vendet anëtare pritet të miratojnë sot draft konkluzionet

Draft-konkluzionet: 

Këshilli mirëpret vendosmërinë e Shqipërisë për të çuar përpara axhendën e reformave të BE, që i hapi rrugën vendimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE në Mars 2020. Këshilli aktualisht po shqyrton kornizën negociuese për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Shqipëria bëri një përparim thelbësor dhe është afër përmbushjes së të gjitha kushteve që duhet të plotësohen përpara konferencës së parë ndërqeveritare. Duhet arritur më shumë progres në përparësitë e përcaktuara nga Këshilli në paragrafin 10 të konkluzioneve të tij të 25 Marsit 2020. Këshilli i bën thirrje Komisionit Europian të monitorojë nga afër përmbushjen e reformave të kërkuara të mbetura dhe të informojë Këshillin sapo kushtet për konferencën e parë ndërqeveritare të jenë përmbushur.

Këshilli mirëpret që ndryshimet në Kodin Zgjedhor u miratuan nga Parlamenti më 23 korrik 2020, në përputhje me marrëveshjen e 5 qershorit 2020 dhe në linjë me rekomandimet e OSBE / ODIHR. Këshilli nënvizon se dialogu politik në vend duhet të forcohet më tej, veçanërisht mbi reformën zgjedhore dhe zbatimin e saj. Duhet të sigurohet gjithashtu financimi transparent i partive politike

Këshilli mirëpret përparimin e mirë të Shqipërisë në fushën e sundimit të ligjit, përfshirë zbatimin e reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi, e cila ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme dhe duke forcuar luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar, ku vendosja e anti-korrupsionit dhe strukturat e specializuara për krimin e organizuar u finalizuan. Është e rëndësishme që të kryhen rekrutimet e mëtejshme për Byronë Kombëtare të Hetimeve, në mënyrë që ajo të jetë plotësisht funksionale. Përpjekjet drejt krijimit të një gjurme provash të konsoliduara duhet të vazhdojnë, përfshirë vendimet përfundimtare dhe hetimet pro-aktive për korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar dhe përmes zbatimit të planit të veprimit për të adresuar rekomandimet e Task-Forcës së Veprimit Financiar, siç duhet tê vazhdojë bashkëpunimi i mirë me autoritetet përkatëse të Shteteve Anëtare.

Këshilli mirëpret faktin, që Vetingu ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme dhe ka dhënë rezultate të prekshme dhe inkurajon autoritetet shqiptare të vazhdojnë përpjekjet për të reformuar sistemin gjyqësor. Me një dhomë të plotësuar dhe dy të mbetura pa plotësuar, Gjykata e Lartë ka rifilluar funksionimin, megjithëse duhen përpjekje të mëtejshme, në mënyrë që ajo të përmbushë plotësisht rolin e saj. Këshilli mirëpret progresin lidhur me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, megjithëse nevojiten përpjekje të mëtejshme për të vazhduar me emërimet e tjera. Në lidhje me të drejtat themelore, Këshilli shënon pozitivisht përpjekjet e vazhdueshme për të zbatuar një reformë gjithëpërfshirëse të sektorit të pronës dhe për të konsoliduar të drejtat e pronës dhe u bën thirrje autoriteteve të vazhdojnë përpjekje të tilla, duke përfshirë përparimin e shpejtë të procesit të regjistrimit dhe kompensimit. Këshilli gjithashtu inkurajon Shqipërinë që të miratojë dhe zbatojë me shpejtësi legjislacionin e mbetur në lidhje me Ligjin-kornizë 2017 për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe mirëpret miratimin e ligjit për regjistrimin e popullsisë. Për më tepër, Këshilli i bën thirrje Shqipërisë të bëjë përparim urgjent mbi lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve. Këshilli përsërit rëndësinë që ndryshimet në ligjin e medias të jenë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Këshilli gjithashtu mirëpret progresin e prekshëm të arritur në reformën e administratës publike dhe inkurajon Shqipërinë të vazhdojë me vendosmëri përpjekjet në këtë fushë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!