DOSSIER/ Për Janinën morën armët edhe gratë, bandat greke masakruan popullsinë, si dështoi atentati ndaj princit Kostandin

schedule12:12 - 11 Shtator, 2021

schedule 12:12 - 11 Shtator, 2021

Nga Hasan Bello

Pjesa II

Më 19 janar 1913, filloi faza e dytë e sulmit për marrjen e Janinës nga forcat greke. Mungesa e disiplinës, dezertimi i ushtarëve shqiptarë dhe qëndrimi i gabuar i qeverisë së Vlorës, i shtyu disa oficerë osmanë të deklaronin se Janinën më parë ishin të gatshëm t`ia linin Greqisë se sa Shqipërisë. Më 20 janar 1913, pas disa betejave të humbura komandanti i forcave greke Sambucakis u shkarkua dhe në vend të tij u emërua Komandanti i Ushtrisë së Epirit Princ Kostandini.

Krahas betejave me forcat greke, ushtarët osmanë luftonin edhe me dy kundërshtarë të fortë: me urinë dhe të ftohtin e papërballueshëm. Mungesa e ujit dhe e druve të zjarrit ishte gjithashtu një nevojë e madhe. Kjo i detyronte ata që ta mbartnin atë me kafshë rreth 5 km larg vijës së frontit ose të shuanin etjen me ujin e shkrirë të dëborës, i cili shpesh-herë ishte i përzier me baltë.

Me qëllim për të demoralizuar ushtarët osmanë, nga llogoret e forcave greke hidheshin çanta të vogla të mbushura me bukë të bardhë së bashku me copa letre ku shkruhej se “ne ushqehemi kështu”. Kjo propagandë synonte të nxiste dezertimin e ushtarëve osmanë dhe bashkimin e tyre me grekët.

Ushtarët shqiptarë, shkruan me të drejtë një oficer osman, në vend të që luftonin për të mbrojtur atdheun e tyre ose më e pakta të ndihmonin forcat osmane, dezertonin grupe grupe, duke e braktisur atë në duart e armikut. Në të vërtetë, difensiva e ushtrisë osmane në Janinë, Kosovë dhe Shkodër ishte duke i shërbyer kauzës së Shqipërisë etnike. Madje, disa nga komandantët osmanë kishin biseduar fshehurazi edhe me parinë shqiptare dhe i kishin deklaruar atyre se Perandoria Osmane ishte në dezintegrim e sipër, prandaj ndihmesa kundër Aleancës Ballkanike i shërbente shtetit të ardhshëm shqiptar.

Lexo edhe: Mbrojtja heroike e Janinës, letra e Ismail Qemalit për komandantin osman, intriga greke dhe pse Stambolli i la pa armë dhe logjistikë

Pas dorëzimit të Selanikut, Princ Kostandini, si kryekomandant i ushtrisë së Epirit erdhi personalisht në Janinë. Ai synonte që edhe këtu të ndiqte taktikën e dorëzimit. Prandaj, më 30 janar 1913, një oficer grek dhe dy ushtarë, me një flamur të bardhë në duar i dorëzuan forcave osmane një letër ku Princ Kostandini i propozoi Esad Pashës armëpushim.

Në letër shkruhej mbi epërsinë e forcave greke dhe kërkohej, në emër të humanizmit e qytetërimit, para një mësymje të përgjakshme, dorëzimi i qytetit. Aty shkruhej gjithashtu se Konferenca e Londrës kishte vendosur që territoret nga Trakia deri në Adriatik t`i liheshin Greqisë.

Prandaj, vazhdimi i qëndresës nga ushtria osmane ishte i pakuptimtë. Megjithëse në kushte jashtzakonisht të vështira, Esad Pasha, kërkoi mendimin e Komandës së Armatës së Perëndimit. Kjo e fundit urdhëroi kategorikisht, vazhdmin e mbrojtjes dhe që çdo oficer të qëndronte në krye të detyrës. Me kërkesë të Esad dhe Vehib Pashës ajo dërgoi në Janinë një oficer të shtabit drejtues, Xhemal beun i cili do të verifikonte në terren gjendjen e ushtrisë osmane.

Më 2 shkurt 1913, ai i raportonte Komandës së Armatës së Perëndimit mbi mungesën e theksuar të armatimit, municioneve dhe ushqimit të ushtarëve osmanë. Sipas tij, uria, i ftohti dhe sëmundjet po bënin kërdinë.

Prandaj, propozimin e palës greke, në përputhje me dëshirën e Esad dhe Vehib Pashës ai e shihte të arsyeshme. Megjithatë Komanda e Armatës së Perëndimit, i trembej faktit, se mos Janina ashtu si Selaniku, dorëzohej pa luftë. Ajo i shkruante të dërguarit të saj se armëpushimi me forcat greke mund të pranohej vetëm nëse bihej dakord, jo vetëm për Janinën, por për të gjitha frontet dhe nëse nënshkruhej një marrëveshje paqeje midis dy shteteve.

Kjo nënkuptonte se nënshkrimi i armëpushimit ishte ende larg. Ndërsa në përgjigjen që Esad Pasha i ktheu Princ Kostandinit më 1 shkurt 1913 shkruante se  Janina mund të dorëzohej vetëm me luftë; se ai do të luftonte deri në ushtarin e fishekun e fundit; pavarësisht kushteve të vështira, ai, ishte i vendosur për mos ta dorëzuar qytetin; nëse Princ Kostandini i lutej në emër të humanizmit dhe qytetërimit, për mos t`u derdhur më tepër gjak, ai e kishte vetë në dorë, duke i dhënë urdhër ushtarëve grekë të  tërheqeshin.

Kështu, lufta do të përfundonte vetvetiu. Ai ishte i bindur se humanizmi dhe qytetërimi, nuk do të gjykonte atë, por shkaktarët e vërtetë të kësaj lufte.

Ky qëndrim i Esad Pashës, pavarësisht epërsisë ngjalli demoralizim në radhët e ushtrisë greke. Një pjesë e tyre ishte sfilitur nga lufta, i ftohti dhe shiu. Megjithatë drejtuesit e saj ishin të vendosur që të përdornin të gjitha mjetet luftarake, politike dhe ekonomike që brenda një muaji qëndresa për mbrojtjen e Janinës të merrte fund. Refuzimi i Esad Pashës për ta dorëzuar qytetin, ngjalli tek kundërshtari ndjenjën e hakmarrjes. Luftimet rifilluan me intensitet. Artileria e ushtrisë greke bombardonte natën dhe ditën.

Esad Pasha shkruan se gjatë gjith mbrojtjes në drejtim të Janinës ajo kishte hedhur 30.000 predha. Ndërsa forcat osmane ishin në zgrip, municionet dhe ushqimi përdoreshin me ekonomi. Nga Komanda e Perëndimit ishin dërguar disa forca, por kjo nuk e kishte ndryshuar situatën. Ushtria armike ishte afruar pranë perimetrit mbrojtës dhe priste sulmin final. Më 2 shkurt 1913, ndërkoh që pritej sulmi i forcave greke, nga Stambolli erdhi lajmi se xhonturqit kishin realizuar një grusht shteti.

Kjo tregon papërgjegjshmërinë e elitës politike osmane, e cila me këtë veprim ndikoi negativisht në rezultatin e Luftërave Ballkanike.  Gazeta “Tanin” (8.2.1913) shkruante se askush nuk e kishte menduar që mbrojtja e Janinës dhe Shkodrës do të zgjaste kaq shumë.

Ajo e konsideronte këtë sukses si rrjedhojë e masa fortifikuese që ishin ndërmarrë para dy vitesh. Ndërkoh që rol kryesor i kësaj rezistence, më shumë se sa fortifikimet, ishte vullneti, guximi dhe trimëria e komandantëve shqiptarë dhe ushtarëve osmanë.

Komanda e Perëndimit njoftoi Shtabin e Përgjithshëm në Stamboll se kushtet për vazhdimin e mbrojtjes së Janinës po shkonin drejt fundit. Mungesa e ushqimit, municioneve, si dhe kushtet klimaterike ishin në disfavor të ushtrisë osmane.

Epërsia numerike e ushtrisë greke ishte e dukshme, nga robërit e luftës ishte konstatuar se ajo kapte shifrën e 55.000 ushtarëve. Nga Preveza deri më datën 12 shkurt grekët kishin sjellë 28.000 predha topash, ndërsa më 28 shkurt kjo shifër ishte rritur në 48.000. Ndërsa forcat osmane përbëheshin nga 28.000 ushtarë, gjysma e të cilëve ishte jasht funksionit, për arsye se ishin plagosur ose ishin të sëmurë nga tifo dhe dizanteria.

Nga pjesa që mbetej vetëm 10.000 ushtarë ishin të aftë për luftë, të cilët mbulonin 28 km vijë zjarri. Sipas të dhënave, më 26 shkurt në spitalin e Janinës ishin shtruar 551 të plagosur, ishin liruar 191 dhe kishin vdekur 164, ndërkoh që numri total i ushtarëve që mjekoheshin ishte 5.660 veta. Qëndresa heroike e mbrojtësve të Janinës bëri që vendin e ushtarëve të vrarë ta zinin gratë e qytetit.

Nga përgatitjet kuptohej qartë se ushtria greke po bëhej gati për mësymjen finale. Nga data 1-3 mars 1913, në ndihmë të tyre erdhën edhe disa anije luftarake, të cilat krahas furnizimit me ushqim e municione, bombarduan ushtrinë osmane nga deti.

Më 3 mars, Esad Pasha i telegrafoi Ministrisë së Mbrojtjes në Stamboll se mbrojtja e qytetit vazhdonte në një mënyrë që i shkonte nderit dhe lavdisë së ushtrisë osmane dhe se lajmet e gazetave austriake për rënien e Janinës nuk ishin të vërteta. Esad Pasha ishte një ushtarak i disiplinuar, me një rreptësi që vinte nga shkollimi gjerman i oficerëve osmanë.

Më 4 mars ushtria greke filloi mësymjen e përgjithshme. Nga të gjitha anët goditja e artilerisë dhe e reparteve të këmbësorisë armike vazhdoi papushim. Deri në mbrëmje ishin hedhur 10.000 predha, të cilat shkaktuan 11 të vrarë dhe 56 të plagosur në radhët e ushtrisë osmane.

Më 4 mars, përballë 8000 ushtarëve osmanë të sfilitur nga lodhja dhe uria qëndronin 50.000 forca greke. Luftime të ashpra u zhvilluan edhe më 5 mars derisa ushtarëve osmanë i mbaruan të gjitha municionet. Kjo e detyroi Esad Pashën që hynte në bisedime për t`a dorëzuar Janinën, me kusht që forcat osmane të tërhiqeshin paqësisht megjith armatimet.

Por kjo u kundërshtua nga komanda e ushtrisë greke. Prandaj, në orën 5:30 të mëngjesit të datës 6 mars luftimet rifilluan vetëm me bajoneta. Kjo e bindi Esad Pashën se dorëzimi pakushte ishte i pashmangshëm. Për këtë ngarkoi Vehib Pashën, i cili i paraqiti Princ Kostandinit protokollin e dorëzimit.

Në drekën e 6 marsit, një regjiment kalorësish grekë hynë në Janinë. Fillimisht ata morën nën kontroll ndërtesat qeveritare dhe postën. Komandanti i forcave greke, gjeneral Suços, u emërua prefekt i qytetit. Esad Pasha, ndërsa kryqzonte vështrimet e përlotura me Vehib Pashën, shkruan se gjithçkaje i kishte ardhur fundi. Në mbrëmje Esad Pasha nënshkroi protokollin e dorëzimit.

Sipas të dhënave 565 oficerë dhe 18.127 ushtarë osmanë u zunë rob nga ushtria greke. Në luftën që zhvilluan për mbrojtjen e Janinës, ushtarët osmanë, treguan trimëri dhe heroizëm. Mungesa e ushqimit shpesh-herë i shtyu ata në kufijtë ekstremë. Megjithatë, nuk u dëgjua asnjë rast abuzimi ndaj popullsisë vendase. Për ditë të tëra kjo ushtri u ushqye me rrënjë bimësh.

Ata tërhiqeshin me uniforma të grisura, të lodhur e të sfilitur, plot dhimbje për fatin e një qyteti që ishin përpjekur për ta mbrojtur deri në kufijtë e të pamundshmes. Kur gruaja e konsullit francez pyeti njërin prej tyre, ai, i deklaroi se ushqimet kishin 15 ditë që u kishin mbaruar. Ushtarët kishin marrë ngjyrën e tokës, ndërsa në fytyra, për shkak të urisë, u dukeshin edhe kockat.

Esad Pasha shkruan se në ndërtesën qeveritare mbërriti një automobil nga i cili një oficer grek i ftoi së bashku me Vehib Pashën për t`u vendosur në banesën e caktuar nga ushtria greke. Si mumje të pashpirtë,-shkruan ai,-që të dy hipëm pa fjalë dhe shkuam.

Pas disa ditësh në Janinë mbërriti Princ Kostandini, i cili i veshur me uniformën e gjeneralit priti në audiencë Esad dhe Vehib Pashën. Ai i shprehu vlerësimin për trimërinë e treguar dhe në shenjë rrespekti vendosi që mos t`u a merrte shpatat, duke i konsideruar ata jo si robër lufte, por si mysafirë. Në qytet më pas hynë bandat e armatosura greke, të cilat liruan të burgosurit, grabitën familjet e pasura myslimane, u dogjën shtëpitë dhe dyqanet.

Në mbrëmjen e 8 marsit 1913, ditën që Princ Kostandini hyri triumfalisht në Janinë, ushtarët grekë konstatuan në rrugën nga do të kalonte princi një shqiptar që bënte lëvizje të dyshimta. Pas arrestimit, atij iu gjet një brez i mbushur me lëndë shpërthyese. Kjo, sipas tyre, tregonte se ai kishte planifikuar ekzekutimin e princit, çka solli si rezultat masakrimin e tij nga bajonetat e ushtarëve grekë.

Për shtypin e Stambollit, dorëzimi i Janinës ishte diçka e pabesueshme. Kjo për faktin se agjencia e lajmeve greke, ende nuk e kishte bërë publike lajmin. Megjithatë, shumë shpejt faqet e gazetave europiane u mbushën plot shkrime ku thuhej se ushtarët osmanë e kishin përmbushur detyrën e tyre deri në minutin e fundit.

Dorëzimi i Janinës ndikoi negativisht edhe në betejën që zhvillohej për mbrojtjen e Ajdonatit. Ushtarët osmanë së bashku me shqiptarët luftuan trimërisht deri në fishekun e fundit. Më 8 mars, ata u detyruan të tërhiqeshin në drejtim të Vlorës. Rënia e Janinës i hapi rrugën pushtimit të Filatit, Paramithisë, Pargës, Përmetit, Tepelenës, Këlcyrës, Delvinës, Gjirokastrës, Pogonit dhe Himarës. Popullsia shqiptare e këtyre viseve, duke mos pasur mundësi për të rezistuar, u detyrua t`i nënshtrohej dhunës së ushtrisë greke. Masakrat, djegjet dhe grabitjet shkaktuan dëme të jashtzakonshme në të gjith Shqipërinë e Jugut.

Rënia e Janinës gjeti jehonë edhe në faqet e shtypit shqiptar. Gazeta Liri e Shqipërisë shkruante mbi dorëzimin e Esad Pashës së bashku me 33.000 ushtarë tek Princ Kostandini. Sipas kësaj gazete, Shqipëria kishte humbur më të bukrin e më të famshin qytet të jugut. Autori i këtij artikulli, akuzonte partinë xhonturke “Bashkim dhe Përparim” dhe shkruante se grekët nuk ia morën Janinën turqve, por shqiptarëve.

Ndërsa gazeta Dielli shkruante se uria dhe mungesa e municioneve ishin shkaqet kryesore të rënies së Janinës. Gjithësesi, ajo ishte një mbrojtje heroike e forcave osmane në bashkëpunim me shqiptarët. Janina konsiderohej si Kryeqyteti i Toskërisë dhe ende shpresohej se Konferenca e Londrës do t`ia kthente atë Shqipërisë. /abcnews.al

*Materiali është përgatitur ekskluzivisht për abcnews.al, ndalohet riprodhimi online pa lejen me shkrim të redaksisë!

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!