DOSSIER/ Inteligjenca britanike zbërthen partizanët: Kërkuan bombardim dhe na e hodhën fajin neve, të fiksuar pas Tiranës

schedule11:03 - 5 Mars, 2022

schedule 11:03 - 5 Mars, 2022

Nga Hasan Bello

Më 10 nëntor 1944 misioni britanik në Shqipëri do të hartojë një raport sekret. Ai përshkruan me detaje situatën politike dhe tërheqjen e trupave gjermane. Sipas këtij raporti, partizanët i kishin përqendruar të gjitha forcat e tyre për të marrë kryeqytetin, të cilin e konsideronin një avantazh politik.

Fronti Nacional Çlirimtar- theksonin britanikët- kontrollonte katër të pestat e territorit dhe, pas tërheqjes së gjermanëve atij i hapej rruga për ta shtrirë influencën në Shqipërinë e Veriut. Por mes komunistëve dhe misionit britanik kishte kontradikta.

Kjo sidomos pas atashimit në Shtabin e Përgjithshëm partizan të misionit rus që drejtohej nga major Ivanov. Dyshimet sa vinin e theksoheshin dhe reflektoheshin në aksionet kundër forcave gjermane. Kështu, ndërsa britanikët deklaronin se kishin dërguar 300 ton ushqime për partizanët, drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm thonin se tek ata kishin arritur vetëm 75 ton. Kjo për shkak të dëmtimeve që ngarkesat kishin pësuar gjatë transportimit nga deti.

Një fakt interesant është informacioni se një delegacion i forcave partizane ende pa përfunduar lufta kishte kërkuar nga aleatët lëvrimin e një kredie prej 150.000 stërlinash. Ai do të shërbente për ngritjen e administratës dhe konsolidimin e pushtetit politik.

Në raport flitet për kontradiktat në gjirin e lëvizjes partizane mes drejtuesve dhe disa figurave si Myslym Peza, Mehmet Shehu, Haxhi Lleshi, Islam Radovicka etj., çka tregon se britanikët vëzhgonin me kujdes të gjitha diferencat brenda PKSh-së.

Për të qetësuar simpatizantët drejtuesit e Shtabit Partizan shpesh ia hidhnin fajin për dështimet dhe probleme të tjera aleatëve anglo-amerikanë. Kjo ishte vënë re edhe gjatë bombardimit të forcave gjermane në qytetin e Korçës, që megjithëse ishte bërë me kërkesën e Shtabit Partizan, fajin për dëmet, viktimat etj., ia kishin hedhur britanikëve.

Në përfundim të këtij raporti gjenden disa konkluzione që misioni britanik i propozonte Shtabit të Përgjithshëm britanik në Londër. Sipas tyre, politika britanike duhej të merrte masa për ta tërhequr udhëheqjen komuniste shqiptare drejt vetes, duke investuar dhe mbështetur elementët pro saj.

***

Gjendja ushtarake:

1.Gjermanët janë tërhequr nga Shqipëria jugore dhe janë duke mbajtur rrugën Durrës-Tiranë-Elbasan-Strugë. Këtë gjë e bëjnë ndoshta për të lehtësuar tërheqjen e forcave të fundit nga Maqedonia që të arrijnë në Shqipërinë veriore dhe pastaj përmes Jugosllavisë të shkojnë drejt Gjermanisë.

Raportet e fundit bëjnë të ditur se kjo rrugë tani po përdoret shumë nga gjermanët dhe një përqendrim i madh trupash gjermane tani është bërë në zonën e Shkodrës, ku janë afërsisht 15 000 ushtarë. Nuk ka asnjë të dhënë që gjermanët të kenë dëshirë për t’u dorëzuar, ata po luftojnë kundër partizanëve me vendosmëri, ashtu siç kanë luftuar më parë.

2.Partizanët i kanë përqendruar të gjitha forcat e tyre që të kapin me çdo kusht Tiranën, me qëllim që të kenë një avantazh politik. Megjithëse ka mundësi që goditja e partizanëve në veri të Shqipërisë pas rënies së kryeqytetit të pakësohet, por kjo tani për tani nuk duket. Duhet të shënohet se F.Nac.Çl. e ka përqendruar vëmendjen e tij edhe nga rindërtimi, tashmë janë formuar për këtë qëllim brigada ANLA në jug të Shqipërisë.

3.Në qoftë se gjermanët e kanë planin që të tërheqin të gjitha forcat nga Maqedonia e t’i përqendrojnë në Shqipërinë e Mesme e në zonën e Shkodrës, pastaj lufta e tyre për të çarë rrugën përmes Korpusit të Dytë të partizanëve, e gjithë kjo do të zgjasë rreth tri javë. Për gjermanët do të jetë shumë e vështirë të hapin rrugën, të tërhiqen komplet nëpërmjet Jugosllavisë, ata mund të dorëzohen, por mbas një lufte të vendosur për t’u tërhequr. Është e papëlqyeshme që një forcë e madhe gjermane të dorëzohet tek partizanët.

4.F.Nac.Çl. tani kontrollon rreth katër të pestat e Shqipërisë dhe do të plotësojnë gjithë kontrollin e vendit sapo të tërhiqen gjermanët nga Shqipëria e Veriut. Me tërheqjen e misionit britanik nga major Abaz KUPI dhe nga nacionalistët e pavarur probritanik, atje nuk ka asnjë shpresë për një kryengritje antigjermane në veri. Këta elementë shqiptarë që janë kompromentuar komplet me gjermanët, do të vazhdojnë rrugën për në Gjermani, kurse ata që do të mbeten, do të vuajnë, ose do të pranojnë të futen në F.Nac.Çl.

Gjendja politike:

5.Që nga pranvera e vitit 1944 kur Misionet Aleate u bashkuan me F.Nac.Çl., ato misione shikohen me dyshim dhe si armik i lëvizjes revolucionare. F.Nac.Çl, me një organizim të fuqishëm kombëtar, fsheh një dyshim që qëllimi i qeverisë britanike ka qenë të ndërmerrte autoritetin e vendit, kështu që të kishte zotërimin e plotë ekonomik dhe politik mbas luftës e në të njëjtën kohë ka përpunuar edhe hartën e Shqipërisë për qëllimet e saj. Këto ndryshime janë shprehur në një seri incidentesh të karakterizuara nga mungesa e bashkëpunimit e aksioneve ushtarake kundër armikut që janë sugjeruar nga misionet.

Kjo tendencë është rritur më shumë kohët e fundit dhe pikërisht në muajin e kaluar është bërë më e qartë. Mosbesimi i motiveve të mbajtjes së misioneve ushtarake Aleate në Shqipëri është rritur dhe gjatë javëve të kaluara është vënë re një propagandë e hapur antibritanike.

Shembujt e mungesës së bashkëpunimit janë këto:

a)Refuzimi i Shtabit të Përgjithshëm për pranimin e trupave SBS dhe IRDG në Shqipëri. Kur rezervat për një veprim të rëndësishëm kundër Barmashit në rrugën Korçë-Janinë u morën nga partizanët e brigadës së 2 dhe plani për një sulm me trupat e SBS u arrit, komandanti i partizanëve vuri përpara shumë arsye të trasha për të penguar sulmin. Goditja e Barmashit u krye nga gjermanët, mbasi ata tërhoqën trupat e tyre nga Greqia.

b)Refuzimi i Shtabit të Përgjithshëm për të lejuar një oficer britanik për të shkuar në Kuçovë për të raportuar për gjendjen dhe të asistonte në rikonstruksionin, tregon qartë se Shtabi kundërshton çdo motiv tonin.

c)Shtabi i Përgjithshëm ka vazhduar të qahet se ne nuk e kemi plotësuar angazhimin tonë për ta ndihmuar nga ajri e nga deti. Në një rast kur një pjesë e madhe e ndihmave u dëmtuan nga shiu në Spille dhe një raport për këtë gjë iu dërgua Shtabit të Përgjithshëm, ai akuzoi ALO lokal për sabotim të luftës partizane, se si një përpjekje për të shtrembëruar faktet. Kur një autoritet i ALO i raportoi Shtabit të Përgjithshëm se 300 ton ndihma i janë dorëzuar ANLA gjatë tetorit (dy herë më shumë nga marrëveshja e bërë), ai mori përgjigje se shtabi do t’i kontrollonte vetë faturat e tha në përgjigjen se kishte marrë vetëm 75 ton nga deti. Deficiti nga ana e detit u shkaktua nga koha shumë e keqe.

d)Mjeku ynë ushtarak britanik, i cili ka bërë një punë shumë të vlefshme në Shqipërinë e Jugut gjatë 12 muajve të fundit, u akuza për mungesë bashkëpunimi kur ai refuzoi të dërgonte në Itali një partizane të sëmurë.

Kur një autoritet i ALO i tha Shtabit të Përgjithshëm se mund t’i dërgonte një mjek tjetër ushtarak dhe një grup kirurgësh, atij iu përgjigjën se nuk ishte bërë ndonjë kërkesë për doktor dhe se ilaçet ishin të mjaftueshme. Autoriteti i ALO, i cili kishte udhëtuar shumë nëpër Shqipëri, raportoi se doktorët ishin kërkuar urgjentisht. ANLA nuk ka kirurg dhe më shumë varet nga doktorët e ushtrisë italiane.

e)Ka shumë shembuj të vegjël të mungesës së bashkëpunimit që nga koha që ALO është me partizanët. Vështirësi ka pasur në mbështetjet për operacionet e vogla kundër armikut. Kur kryetari i ALO i raportoi Gjeneral Enver HOXHËS se ai kishte në dorë komplet planin e armikut për tërheqjen e korpusit alpin 21 e 22 nga Shqipëria e Greqia e Veriut, ai u informua nga Gjeneral HOXHA se plani ishte në dorë të tij dhe citoi disa paragrafë nga ai plan.

ARSYET PËR TENDENCAT ANTIBRITANIKE TË TANISHME TË F.NAC.ÇL:

6.Megjithëse është e pamundur të citohen të gjitha incidentet, intensifikimi i politikës antibritanike nga ana e F.Nac.Çl. është dukur qartë që nga dita e ardhjes pranë F.Nac.Çl. e misionit Rus me në krye majorin IVANOV në gjysmën e shtatorit 1944. Ky mision mesa është e mundur të sigurohemi, ka kontakte w/t me Moskën, Barin dhe me misionin rus në JANL, shtabin JANL. Gjatë javëve të kaluara, Ivanovi pjesën  më të madhe të ditës e ka kaluar me bisedime me Gjeneral-kol Enver HOXHËN dhe në qoftë se ai nuk drejton një pjesë të politikës, ai mund në një farë pike, të influencojë tek HOXHA në interpretimin e direktivave të partisë së tij.

7.Megjithëse nuk ka prova përfundimtare të frutave të propagandës ruse në Shqipëri, ka një numër të dhënash që tregojnë se qëllimi i misionit rus nuk është vetëm informativ. Pjesa më e madhe e lajmeve që boton F.Nac.Çl., janë pjesë të nxjerra nga radio “Moska”. Në këtë çast është ndezur një zjarr i madh në aerodromin e Beratit se po pritet një aeroplan që do të pritet personalisht nga major Ivanov. Fjalë thuhen në Berat se një aeroplan rus do të sjellë ushqime për popullsinë civile të uritur.

8.Në gusht një delegacion ushtarak i Shtabit të Përgjithshëm i kërkoi Aleatëve një kredi prej 150.000 stërlina. Ky hap u bë si vazhdim i përsëritjeve të kërkesave pranë kryetarit të ALO, i cili nuk ka dhënë ndihma të mjaftueshme financiare. Kredia duhet për qeverinë e re dhe për të vënë në jetë programin për rindërtimin e vendit. Ata nuk janë të zotë ose nuk duan në këto çaste të mbledhin të holla nëpërmjet taksave të përgjithshme të popullsisë, se populli nuk është në gjendje për taksa. Pastaj edhe nëpunësit qeveritar nuk janë aq të fortë sa për të vënë taksa. Kjo kërkesë për ndihmë financiare nga Britania, kur marrëdhëniet me këtë vend nuk janë miqësore, duket si diçka sinjifikative. Këtu po qarkullojnë raporte të pakonfirmuara midis popullsisë civile se Rusia ka ndërmend t’i japë një ndihmë të madhe në flori F.Nac.Çl.

9.Me rritjen e influencës britanike në Greqi dhe pazotësia jonë tani për tani për të bërë ndonjë deklaratë që mund të dëmtojë marrëdhëniet tona me Greqinë, e ka alarmuar F.Nac.Çl. e sidomos pas aksionit tonë në Sarandë, të cilin, ai Front, e mori si një forcë politike për të vendosur kontrollin britanik në zonën e diskutueshme. Ky aksion lidhet me mungesën e ndonjë deklarate të kundërt me atë që bëri Greqia kohët e fundit në lidhje me territoret e diskutuara, kjo padyshim e ka bërë F.Nac.Çl. të besojë se ne tashmë e kemi vendosur të ardhmen e Shqipërisë së Jugut ose të Epirit të Veriut në favor të Greqisë.

10.Mbajtja nga ana jonë deri në kohët e fundit një mision ushtarak tek major Abaz Kupi, të udhëhequr nga një oficer i barabartë në rang si ai ALO që është pranë F.Nac.Çl., me siguri ka shkaktuar që ata të besojnë se qëllimi britanik është që të përkrahë një krah të djathtë në Shqipëri. Tërheqja e këtij misioni dhe të tjerëve nga Shqipëria e Veriut, i preu çdo rrugë F.Nac.Çl. për të dyshuar qëllimet e ardhshme të Britanisë.

INFLUENCA BRITANIKE:

11.Lëvizja antibritanike që ka përhapur Partia ka influencuar në popullsinë civile. Një oficer britanik që ka qëndruar gjashtë muajt e fundit në Shqipërinë jugore, mendon se 30% të popullit janë pro lëvizjes antibritanike, ndërsa 70% janë probritanik, progrek ose indiferent. Një gjë është e qartë se pjesa më e madhe e popullsisë është probritanike dhe mund ta mirëpresë okupacionin britanik.

12.Është menduar edhe për të metat e mundshme brenda F.Nac.Çl. dhe ka rezultuar se Partia nuk do të jetë e zonja të kontrollojë vendin mbas luftës. Do të ishte e dëmshme, që mbi çmohej ndjenja probritanike, e cila duket tek disa udhëheqës me rëndësi dhe është e qartë se kush e çmon atë që ka bërë Britania e Madhe dhe kush është thellësisht kundër politikës së tanishme të Partisë, por të gjithë nuk janë të zotë që të shprehin mendimet e tyre haptas. Partia tani është mjaft e fortë që të kontrollojë plotësisht çdo veprim devijues të pjesshëm brenda Lëvizjes dhe siç duket do ta mbajë këtë kontroll për disa muaj.

13.Është e rëndësishme që të vëmë në dukje opozitën e fortë brenda Lëvizjes dhe udhëheqësit e mundshëm të saj. Këta janë:

Myslym Peza –Nënkryetar i F.Nac.Çl. Është një nga figurat kryesore me influencë në të gjithë vendin dhe shumë i respektueshëm. Ka qenë dërguar në prapavijat këto muajt e fundit dhe nuk është konsultuar fare.

Ai ka shprehur hapur ndjenjat e tij antiparti tek A.L.O. jonë.

Mehmet Shehu – Komandant i Divizionit të Parë, një person ambicioz dhe kokëfortë, i cili për një kohë ka qenë mbajtur mënjanuar nga Partia. Ai është padyshim figura ushtarake më e rëndësishme dhe më e respektueshme.

Ai kohët e fundit është i varur nga NDREU, Komandanti i Korpusit të I. Mehmeti është komunist, por ambicia e tij personale e tejkalon besimin e tij tek Partia.

Haxhi Lleshi – Është figura me influencë të madhe në krahinën e Dibrës dhe një mik i Mehmet Shehut. Ai për një kohë të gjatë është mbajtur në prapaskenë.

Nexhip Vinçani – Një komandant ushtarak probritanik i lënë mënjanë nga Lëvizja.

Islam Radovicka – Komandant i Divizionit të Tretë, një figurë me influencë në Shqipërinë jugore dhe probritanik.

14.Megjithëse nuk ka pasur veprime ku mund të ishin shprehur ndjenjat e vërteta të personaliteteve të lartpërmendur, por është e vërtetë se ata janë kundër organizimit të tanishëm të Partisë, politikës së saj, por edhe Partia e ka kuptuar qëndrimin e tyre. Ky antagonizëm duket se po zmadhohet edhe më shumë dhe me rritjen e përgjegjësisë që po merr Partia dhe situata që po i del përpara, sidomos problemet e riorganizimit e të administrimit të pasluftës, Partia do të gjendet në pamundësi të mbajë kontrollin që ushtron tani. Këto vështirësi do të zmadhohen nga nevoja për t’u gjetur punë këtyre udhëheqësve ushtarak pas luftës, të cilët ndihmuan lëvizjen që arriti të merrte fuqinë në dorë.

15.Në sipërfaqe, marrëdhëniet e misionit britanik me Shtabin e Përgjithshëm janë të mira. Misionit i është dhënë prioritet nga të tjerët tek Shtabi i Përgjithshëm. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për oficerët e tjerë që janë tek shtabet e varura nga Shtabi i Përgjithshëm, por këtu është konstatuar vazhdimisht grindje dhe dyshim.

QËLLIMET E F.NAC.ÇL:

16.Partia është duke luajtur rol të dyfishtë, sepse mban lidhje me Britaninë dhe pranon gjithçka që ne i dhurojnë, por edhe në të njëjtën kohë kultivon marrëdhëniet me Rusinë dhe ka mundësi që të pranojë si udhëheqëse Rusinë, me qëllim që ta shndërrojë Shqipërinë në shtet komunist. Është e pamundur të thuhet se misioni rus mund t’i ketë bërë ndonjë premtim sekret Shqipërisë në emër të qeverisë sovjetike.

17.Fronti N.Çl. i trembet influencës britanike, e cila sigurisht e pakëson forcën e partisë, kështu që është kërkuar tërheqja e trupave britanike, u deklarua që nuk janë kërkuar mjekët britanikë dhe u refuzua të pranohet M.L. gjë që tregon se do të administrohen nëpërmjet kanaleve të F.Nac.Çl.

18.Gjatë kryerjes së politikës së tij dhe me qëllim që të qetësojë ndjekësit e tij, F.Nac.Çl. është gati gjithmonë të ngarkojë me përgjegjësi Aleatët e veçanërisht britanikët për vuajtjet e popullsisë, kështu ndodhi p.sh. kur u bombardua Korça në kohën që brenda në qytet kishte shumë gjerman e ky bombardim u bë me kërkesën e  Shtabit të Përgjithshëm. Kur u larguan gjermanët, partizanët lokalë thërritën me të madhe se shkaku i gjithë dëmeve ishin Aleatët.

19.Është për t’u shënuar se një brigadë e ANLA, gjatë vitit të kaluar, mbajti nën kontroll hidrocentralin e Korçës dhe nuk e preu furnizimin me energji elektrike. Uji që furnizon Tiranën ishte në dorë të partizanëve dhe ata refuzuan t’ia prisnin gjermanëve që ishin në Tiranë se dëmtonin popullsinë civile, por ata nuk hezituan të kërkonin nga Aleatët që Tirana të bombardohej rëndë.

KONKLUZIONE

20.Mjetet më të rëndësishme për të forcuar ndjenjat probritanike që ekzistonin në Shqipëri do të ishte mirë që të bëhej një ndërhyrje me trupa, por kjo gjë siç duket është e pamundur dhe më e dobishme do të ishte për një gjë të tillë të jepej ndihmë dhe përkrahje për ndërtimin e vendit dhe në këtë mënyrë mund t’i dilet përpara kritikës së F.Nac.Çl. Në të njëjtën kohë Misioneve Aleate duhet t’u jepen udhëzime që të bëjnë ç’është e mundur që të bindin F.Nac.Çl. se për pozitën gjeografike që ka Shqipëria, Rusia nuk ka interesa të sinqerta për të ardhmen e Shqipërisë, prandaj Fronti duhej të shikojë nga fuqitë perëndimore dhe veçanërisht drejt Britanisë, e cila mund të mbrojë interesat e Shqipërisë dhe mund të ndihmojë me kapitale me ndihmë teknike të nevojshme për zhvillim.

21.Që qeveria britanike të marrë pjesë plotësisht në ndërtimin e Shqipërisë, është e domosdoshme që ajo të njohë autoritetin me të cilin të merret vesh. Ky autoritet, padyshim është F.Nac.Çl. Sa më shpejt që të njihet F.Nac.Çl. që është në rolin e qeverisë, aq më shpejt qeveria britanike do ta rrisë influencën në Shqipëri, se pastaj çdo gjë do të ofrohet nga Rusia, gjë që është më e dëshirueshme.

Në të njëjtën kohë duhet të bëhet çdo përpjekje për të ndaluar zhdukjen e elementëve probritanikë tashmë të njohur nga ne dhe të mundohemi që ta ndërtojmë përsëri me ngadalë.

*Titulli është i redaksisë, titulli i autorit: Situata politike në Shqipëri sipas raportit sekret të misionit britanik më 10 nëntor 1944.

**Materiali është përgatitur ekskluzivisht për abcnews.al, ndalohet riprodhimi online pa lejen me shkrim të redaksisë!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!