“Atje janë vrarë fëmijë, e nëse quhet Aushvic apo Buchenvald, apo kamp komunist, që ishte më i tmerrshëm se i gjermanëve, kjo nuk ka rëndësi. Por puna është këtu: po bëhet një propagandë nga komunistët për të amortizuar dhe për fashitur atë dëm, atë krim që ata kanë bërë atëherë. Ky institucion për hapjen e dosjeve po bën aq sa mundet dhe me ato dosje që kanë ngelur” – tha zoti Kostreci.
Ekspozita përmban dokumentet mbi përndjekjen e drejtuesve fetarë të krahinës, shkrimarë dhe figura të tjera të njohura të krahinës si Trifon Xhagjika, Selahudin Toto, Zenel Shehu, Naim Pasha e dhjetëra të tjerë, që morën pjesë në kryengritjen e Zhapokikës, apo që vuajtën nga Sigurimi i shtetit në kampin e internimit të Bënçës.
“Këto veprimtari janë shumë të rëndësishme për të zbardhur të shkuarën, por janë shumë më të rëndësishme për të ardhmen. Kjo është një mënyrë që brezat e rinj, e që nuk dinë ngjarjet, të shohin të keqen, të distancohen nga ajo dhe të mos e lejojnë të përsëritet” – tha Nebil Çika, përfaqësues i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë.
Nga ana tjetër, zoti Kostreci theksoi me dëshpërim se mos-hapja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit në afro 3 dekada e vonoi drejtësinë dhe e vështirësoi më shumë ndricimin e krimeve të panumërta të komunistëve gjatë diktaturës.
“Dosjet u duheshin hapur një herë atyre që i vranë njerëzit, atyre që masakruan fëmijët në Tepelenë, atyre që dënuan me gjyqe apo gjyqe. Ne kemi qenë të burgosur e nuk kemi dhënë asnjë shenjë në 27 vjet se jemi hakmarrës. Ky është ndryshimi mes nacionalistëve me komunistët. Por nevojitej një demaskim publik i këtyre autorëve, që të merrte vesh populli krimet e tyre, e të mos na bëjnë më llam llam llam nëpër gazeta” – tha zoti Kostreci.
Përfaqësuesi i shoqatave të përndjekurve politikë, Nebil Çika tha se propaganda e sotme e komunistëve po mundohet të fajësojë edhe tepelenasit si bashkautorë të krimeve të diktaturës, por kjo u provua me dokumenta, që nuk është aspak e vërtetë.
“Tepelena ka aq përgjegjësi për kampin aq sa matjanët për Burrelin, mirditorët për Spaçin. Dokumentat e dala sot tregojnë se tepelenasit janë poa q të ndëshkuar gjatë diktaturës sa edhe gjithë krahinat e tjera. Njerëzit e Tepelenës ishin internuar larg vendlindjes si bëhej edhe në krahinat e tjera” – tha zoti Çika.
Në tubimin kushtuar përkujtimit të viktimave dhe personave të mbijetuar nga regjimi totalitar komunist morën pjesë familjarë, studiues, përfaqësues të shoqatave të ish-të përndjekurve, të cilët po këmbëngulin te rehabilitimi me dinjitet i viktimave të diktaturës komuniste. /VOA