Dashnor Kaloçi
Publikohen disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret” të nxjerra së fundmi nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Arkivi Qendror i Shtetit, të cilat i përkasin një periudhe kohe nga (1969-1991), ku ndodhet një korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, flet-palosje, fotografi, etj., ku bëhet fjalë për Nënë Terezën e Kalkutës, Bamirësen dhe Shenjtoren e famshme me origjinë shqiptare, Gonxhe Bojaxhi, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare, si: “Padmashir”, dhe “Nehru”, nga qeveria indiane në vitin 1963 dhe 1972, “Magnasia” nga qeveria filipinase e cila e shpalli gjithashtu si “Gruaja e merituar e Azisë”, disa çmime paqeje nga SHBA, “Ambrogino i artë” nga Milano, “Nëna universale” në 1974 nga qendra e orientimit të emigrantëve, dhe çmimi ‘Nobel’ për Paqen, në 1979-ën.
Kalvari i Nënë Terezës që nga viti 1969, e cila nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze dhe italiane, i kërkoi Tiranës zyrtare, që të vinte në Shqipëri, në atdheun e saj, për të vizituar nënën, Roza Bojaxhi, që në atë kohë ishte në moshën 86 vjeçare dhe e sëmurë, si dhe motrën e saj, Age, të cilat banonin në Tiranë. I gjithë dokumentacioni i plotë, (tashmë i deklasifikuar), i nxjerrë nga arkivat e shtetit shqiptar, bëhet publike për herë të parë nga Memorie.al, ku hidhet dritë mbi të gjithë aktivitetin bamirës së Shenjtores së famshme, në ndihmë të të varfërve në të gjithë botën dhe dëshirën e saj të jashtëzakonshme për të ndihmuar bashkatdhetarët e saj në Shqipërinë komuniste, si dhe heshtjen totale të Tiranës zyrtare dhe udhëheqjes së lartë komuniste të asaj kohe, me në krye Ramiz Alinë e Nexhmije Hoxhën, të cilët me pretekse të ndryshme, penguan ardhjen e saj në Shqipëri dhe e lejuan vetëm në vitin 1989, në sajë të presionit të madh ndërkombëtar!
Edhe pse në të gjithë botën ajo njihej si Nënë Tereza e Kalkutës, Bamirsja dhe Shenjtorja e famshme Gonxhe Bojaxhi, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare dhe e çmimit ‘Nobel’ për Paqen në vitin 1979, nuk e fshehu kurrë origjinën e saj shqiptare, madje duke kërkuar që nga viti 1969, nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze, italiane etj.,(ku u angazhuan krerët më të lartë të diplomacisë së këtyre dy shteteve), që të vizitonte nënën dhe motrën e saj që jetonin në Tiranë.
Por edhe pse lidhur me kërkesën e vazhdueshme për të vizituar atdheun e saj, asokohe dhe më pas u angazhuan disa prej diplomatëve kryesore të këtyre dy shteteve Perëndimore me të cilat Tirana zyrtare kishte marrëdhënie diplomatike, regjimi komunist i Enver Hoxhës, nuk e lejoi atë kurrsesi të vinte dhe të shikonte nënën e saj që ishte në momentet e fundit të jetës dhe Age Bojaxhi, u nda nga jeta me pengun e madh që s’mundi ta shihte edhe njëherë të bijën e saj, Gonxhen, të cilën s’e kishte pare, që kur ajo ishte fëmijë, kohë kur ajo ishte larguar nga shtëpia për t’u bërë murgeshë.
Por edhe pas kësaj, Nënë Tereza e Kalkutës, siç njihej ajo në të gjithë botën për shkak të misioneve të saj të bamirësisë në ndihmë të të varfërve dhe të vobektëve kudo që ata ndodheshin, në të gjitha skajet e globit, jo vetëm që nuk u zemërua me ata që nuk e lejuan të shihte nënën e saj, para se të ndërronte jetë, por përkundrazi, u lut për ta dhe vijoj të kërkonte pa u lodhur, për vite me radhë, që ajo të vinte një ditë në vendlindjen e të parëve të saj, qoftë dhe për të vënë një tufë me lule mbi varrin e nënës dhe motrës së saj, që tashmë ishin larguar nga jeta.
Por kërkesat e saj, për dy dekada (nga viti 1969, deri në 1989-ën), hidheshin poshtë me pretekste nga më absurdet nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më pas, pasuesit të tij, Ramiz Alisë e Nexhmije Hoxhës, të cilët shikonin pas saj dhe njerëzve që e shoqëronin: një “agjente të Vatikanit”, etj.!
Lidhur me këto si dhe të gjithë kalvarin e saj prej më shumë se dy dekadash për të ardhur në Shqipëri, ku mendonte që të hapte Shtëpitë e Bamirësisë, siç kishte bërë në vende të ndryshme të botës, si dhe arsyen e vërtetë sepse Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha, vendosën që ta pranonin atë në vitin 1989, kur dhe erdhi për herë të parë në atdheun e saj, bëhet fjalë në shumë dokumente arkivore, ku ndodhet një korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, revista, flet-palosje, fotografi, etj., etj., të cilat publikohen për herë të parë nga Memorie.al., në rubrikën historike dossier, duke filluar nga ky numër.
Letra e regjizores me origjinë kanadeze, Jeanette C. Petrie, dërguar Kryetarit të Komitetit për Marrdhënie Miqësore e Kulturore me Botën e Jashtme, Jorgo Melica
7 Tetor, 1989
Z.Jorgo Melica
Kryetar i Komitetit Shqiptar për Marëdhëniet Kulturor e Miqësore me Botën e Jashtme
Tiranë, Shqipëri
I nderuar Zoti Melica
Për mua qe një nder dhe privilegj që m’u dha mundësia të shoqëroj Nënë Terezën në Shqipëri.
Ju falenderoj për mikpritjen bujare që treguat gjatë vizitës sonë. Siç ju premtova, unë i bëra ndryshimet e duhura në film, ashtu siç e diskutuam. Po ju dërgoj një kopje të filmit në VHS-PAL.
Një kopje për trasmetim, ja kam dërguar Mira Shuteriqit, në Televizionin Shqiptar.
U impresionova shumë nga të gjithë njerëzit që takova, po kështu dhe Nënë Tereza u prek shumë nga ngrohtësia e dashuria treguar ndaj saj.
Siç mund ta dini, dhe jam e sigurtë për këtë, Nënë Tereza ishte shumë keq në Kalkutë, por tani është shëruar dhe është shumë mirë. Shpresojmë që të lërë spitalin javën e ardhshme. Ajo mezi po pret të rikthehet në Shqipëri. Shpreson të vijë para fundit të vitit. Nuk besoj që të ketë gjë tjetër që t’i japë kënaqësi më të madhe.
Ju lutem u transmetoni mirënjohje e përshëndetjet më të mira të gjithëve. Edhe unë gjithashtu mezi e pres rastin për t’u rikthyer një ditë në Shqipëri.
Sinqerisht
Jeanette C. Petrie
Letra e regjizores me origjinë kanadeze, Jeanette C. Petrie, dërguar Nexhmije Hoxhës, Kryetares së Frontit Demokratik të Shqipërisë
Zonjës Nexhmije Hoxha 7 Tetor 1989
Presidente e Frontit Demokratik
Tiranë, Shqipëri
E dashur Zonja Hoxha
Ishte një nder dhe privilegj shumë i madh për mua që mu dha mundësia të shoqëroj Nënë Terezën në Shqipëri. Isha, gjithashtu tepër e lumtur që mu dha rasti t’ju takoja ju dhe vajzën tuaj.
Nënë Tereza u prek veçanërisht nga ngrohtësia dhe dashuria me të cilën e pritët ju.
Jam e sigurt se keni dëgjuar që Nëna u sëmur posa u kthye në Kalkutë, por me siguri tani di të gëzoheni kur të mësoni se Nënëa e mori veten shumë mirë (shenjë kjo e shpirtit shqiptar) dhe do të dalë nga spitali javën që vjen (ose javën e ardhshme).
Ajo mezi pret të rivizitojë Shqipërinë. Shpreson të kthehet përpara fundit të vitit. S’besoj se ndonjë gjë tjetër do t’i japë kënaqësi më të madhe.
Siç ju premtova po ju dërgoj një kopje të filmit “Nënë Tereza”. Pas bisedës që bëra me Zotin Melica dhe Televizionin Shqiptar, i bëra një “redaktim” filmit dhe shpresoj se kopja e filmit do t’u pëlqejë.
Kam shumë dëshirë që të më jepet rasti t’u takoj përsëri.
Përshëndetje më të përzemërta
Me sinqeritet
Jeanett C. Petrie
Letra e Drejtorit të Drejtorisë së Organizatave Ndërkombëtare pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, Maxhun Peka, dërguar Komitetit për Marrdhënie MIqësore dhe Kulturore me Botën e Jashtme
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME
Drejtoria Organizatave Tiranë, me 21.10.1989
NDËRKOMBËTARE
Nr.4468/1 Prot.
KOMITETIT SHQIPTAR PER MARREDHENIET KULTURORE E MIQESORE ME BOTEN E JASHTME
Tiranë
Bashkëlidhim një videokasetë mbi nënë Terezën dhe një pliko me gazetat “Liria” të dërguara nga misioni ynë në New York.
Videokaseta është dorëzuar në adresë të sh. Jorgo Melica nga Xhanete Petrie, e cila shoqëroi Nënë Terezën gjatë vizitës në vendin tonë.
P/DREJTORI
Maxhun Peka
Letra e Nënë Terezës, dërguar Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia
I dashur Zoti Ramiz Alia
Ju faleminderit për letrën tuaj të ngrohtë. Të më falni që nuk ju kam shkruar gjithë këtë kohë, sepse, siç e dini, kam qenë e sëmurë. Po përpiqem të shkruaj disa rrjeshta në shqip pas shumë e shumë vitesh, prandaj të më falni për gabimet.
“Unë ja kam dhan ‘besën e shqiptarit’ Zotit, me prue dashni dhe paqe mba gjith botën” duke u dhënë dashuri të ngrohtë dhe kujdes të sëmurëve – të vetmuarve, atyre që s’i duan, që u mungon dashuria.
“Zemra jeme ka ni dishir t’madhe me ardh ni Shqipni me motrat e mija, e me prue kët dashni dhe kët paqe. Unë kam pa që ju keni t’gjith punt shum mir, por zemra jeme dishron shum me ardh me motrat e mija me dhan kët dashni”.
Unë kam parë se çdo gjë është bukur nga populli, i cili u shërben të sëmurëve dhe fëmijëve, por ende e ndjej se Motrat do të jenë në gjendje të ndajnë gëzimin e të dhënit dashuri duke ofruar dashurinë e tyre të ngrohtë dhe kujdesin, siç bëjnë ato sot në vende të ndryshme, përfshirë Rusinë, Kubën dhe shumë vende të tjera.
Isha shumë e lumtur që pashë popullin tim, që pashë varret e nënë e të motrës sime, të cilat nuk i kam parë kurrë për 60 vjet që kur u largova nga Jugosllavia.
Tani që ju tregova për dëshirën time të mund t’i kuptonin, sepse është hera e parë pas shumë e shumë vitesh që shkruaj shqip.
Po dërgoj zonjushën J. Petri, personin që bëri filmin “Nënë Tereza”, të cilin shpresoj që ta keni parë.
Shpresoj dhe lutem që nga fundi i këtij viti të jem me popullin tim në vendin tim Shqipëri.
“Unë dot lutem për ju
Zoti kjoft me ju”
Nënë Tereza, Misionare e bamirsisë
Kalkutë, 29 tetor 1989
Letra e Nënë Terezës dërguar Nexhmije Hoxhës
E dashur Zonja Hoxha
Shpesh në lutjen time ju kujtoj dhe i lutem zotit t’ju ndihmojë në punën Tuaj për të mirën e popullit.
Duke e falenderuar Presidentin për letrën e Tij të bukur përsëri kam shprehur dëshirën e zemrës sime për të sjellë Motrat në Shqipëri.
Natyrisht dashuria ime për vendin tim është plotësisht e gjallë. Meqënëse Motrat e mia i kam çuar në më shumë se 70 vende, së fundi në Rusi dhe Kubë, jam e sigurtë se ju do të bëni ç’është e mundur të më ndihmoni që të sjell Motrat.
Unë kam qenë shumë e sëmurë, siç e dini, porn ë sajë të lutjeve të të gjithë botës dhe kujdesit të ngrohtë të mjekëve tanë, jamë shumë më mirë dhe shpresoj të filloj të lëviz. Prandaj lutuni për mua.
Zoti ju bekoftë
Nënë Tereza, Misionare e Bamirësisë
Mezi pres të kthehem përpara mbarimit të vitit.
Kalkutë, 29.10.1989
Letra e ambasadorit shqiptar në Romë, Dashnor Dervishi, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë
R. P. S. SH
MINISTRIA E PUNEVE TE JASHTME Romë 14 nëntor 1989
Nr.648
MINISTRISE SE PUNEVE TE JASHTEME
(Drejtorisë së Parë)
Tiranë
Bashkangjitur ju përcjellim letrën që Tereza e Kalkutës i dërgon titullarit, me kërkesën që një nga motrat e qendrës së saj bamirëse të shkojë në Tiranë për të takuar shokun Jorgo Melica.
Me gjithë shpjegimet tona, prurësja e letrës në emër të Terezës së Kalkutës ngul këmbë që të realizohet ky udhëtim.
AMBASADORI
Dashnor Dervishi
Letra e Kryetarit të Komitetit për Marrdhënie Miqësore dhe Kulturore me Botën e Jashtme, Jorgo Melica, dërguar ministrit të Punëve të Jashtme, Reiz Malile
Shoku REIS
Bashkangjitur ju dërgoj kopjen e letrës që gazetaria e Nënë Terezës, Zhanet Petri, më ka dërguar
Jorgo Melica
Tiranë, me 20.11.1989
I N F O R M A C I O N
Me datën 24 nëntor prita Zhanet Petri, gazetaren e Nënë Terezës. Pas ii shpreha kënaqësinë për shëndetin e nënë Terezës, u interesova se si i kaloi ditët në Shqipëri.
Petri tha: Ju falenderoj që më lejuat të vij në Shqipëri dhe për kujdesin që treguat me dy shoqet që më shoqërojnë. Unë erdha në Shqipëri me porosi të nënë Terezës që të sjell disa letra si për Presidentin Ramiz Alia, Nexhmije Hoxhën dhe juve.
Takova Adelinën dhe i dhashë letrën për Ciril Pistolin.
- Dëshira e Nënë Terezës është që ajo pasi të shërohet të kthehet në Shqipëri, së bashku me motrat, Brenda këtij viti.
- Unë dëshiroj që këto letrat t’u jepen personave që u drejtohen dhe të më jepet një përgjigje ose të fillohet të mendohet për këto propozime.
I fola se shoqëria jonë është një shoqëri që në radhë të parë ka kujdesin për njeriun, t’i krijojë atij gëzim dhe t’i gjendet pranë në momentet e vështira.
Tek ne fëmijët janë organizuar në çerdhe e kopështe, për ata me të meta mendore ka shkolla speciale, ka spitale për të sëmurë psiqik, shërbimi shëndetësor është falas, që në Shqipëri lindshmëria stimulohet, që ne fatkeqësinë që i ndodh një familjeje, merr pjesë e gjithë shoqëria dhe përmenda fatkeqësinë e datës 23 nëntor, të cilën ajo e kishte dëgjuar.
I vura në dukje se duke vlerësuar kontributin tuaj, i cili është human e njerëzor dhe që në Indi, Amerikën Latine dhe Bashkimin Sovjetik, etj., gjen fushë veprimi, pse ka njerëz të mbetur rrugëve, të pa strehë e pa ndihmë, fëmijë të braktisur, pleq pa shtëpi, të droguar, njerëz me sëmundje çfarosëse e ngjitës.
Këtu tek ne këto nuk gjenden, për arsye se ekzistojnë institucionet shtetërore në të cilën punojnë me qindra djem e vajza si mjek, infermiere, si kujdestare e edukatore, prandaj çdo mision tjetër, sipas mendimit tim do të ishte i panevojshëm.
Zhanet Petri pas kësaj tha: Nëna e pranon këtë realitet dhe për këtë ajo, ka filluar të flasë dhe është krenare që është shqiptare”.
- Ajo mendon se megjithëse në Shqipëri janë bërë të gjitha punët shumë mirë, dëshiron të vijë me motrat me dhanë këtë dashuri për njerëzit.
Nëna, shtoi ajo, “e mori letrën e Presidentit dhe u kënaq shumë, e lexoi disa herë por, në të nuk gjeti as po e as jo”.
Unë e di, tha ajo, se këtu nuk ka probleme si në Afrikë, por qëllimi që kam ardhur është të shkëmbejmë mendime se si ta rregullojmë këtë sot ose në të ardhmen. Nuk e di cila është përgjigja juaj “po” ose “Jo”, por ajo që mbetet është të mendojmë që nga Presidenti dhe zonja Hoxha, e Kryqi i Kuq, që një ditë duhet të bëjmë diçka dhe këtë Nëna e pret.
- Pastaj pyeti: “A mund të më japi Zonja Hoxha një përgjigje nëse”? I thashë që letrat do t’ia çojmë atyre që i adresohen, por përgjigje nuk mund të japin, për arsye se janë të angazhuar me festat dhe nuk e dimë a ndodhet këtu.
- I thashë: megjithëse e vlerësoj misionin që kryen Nënë Tereza në ndihmë të njerëzve që vuajnë e s’kanë mbështetje si një gjest humanitar, po ta njihni realitetin shqiptar dhe ju rekomandoj të shihni dy-tre qytete e institucione, ju vetë do të bindeni se këtu tek ne njerëzit kanë shumë dashuri për njëri-tjetrin, tregojnë kujdes dhe shteti subvesionon shumë për ngritjen e institucioneve, për dhënien falas të ilaçeve, për përgatitjen e kuadrit si mjekë, infermier, edukatore çerdhe e për kopshte, mami për në fshat, kujdestare për konviktet azile, spitalet, sanatoriumet dhe të gjitha këto kujdesen për njeriun, atë që ju përpiqeni ta bëni në vende të tjera, ku gjeni njerëz të braktisur, të sëmurë e pa njeri tek ne është shoqëria që e përballon.
- I dëgjonte sugjerimet me interes, i miratoi, por nga mendimi i saj “të fillojmë të mendojmë për të ardhmen”, nuk tërhiqej.
***
- Gjatë qëndrimit këtu, vizitoi Muzeun “Enver Hoxha”, Muzeun Historik, Muzeun Arkeologjik dhe kërkoi material informative për Shqipërinë, të cilat ju siguruan. Vizitoi qytetin e Beratit (kishat dhe kalanë. Mori takim me Marie Krajën dhe vizitoi varrezat e familjes së Nënë Terezës).
Me sa vumë re, mbeti e kënaqur nga pritja e takimi.
Jorgo Melica
Tiranë, me 25.11.1989