DOSJA/ “Pse ka ndaluar makina çunit?” Tre të vdekur, gjithçka ndodhi në atentatin e bujshëm në Elbasan. Si u ekzekutua Endrit Alibej

schedule14:18 - 10 Shkurt, 2021

schedule 14:18 - 10 Shkurt, 2021

Policia shpalli në kërkim pak ditë më parë Mikael Qosjen nga Elbasani pasi dyshohet se ishte personi që organizoi atentatin ndaj Endrit Alibejt më datë 29 dhjetor 2018 tek rrethrrotullimi i Metalurgjisë në Elbasan.

Krahas Alibejt, në këtë atentat u vranë Arben Dylgjeri si edhe turku Erdal Durunay.

Organet ligjzbatuese dyshojnë se Qosja e organizoi atentatin pas një prishje pazaresh me grupit të tij dhe atyre të vëllezërve Alibej, ndërsa aktualisht ai ndodhet në Dubai nën mbrojtjen e një tjetër grupi kriminal me origjinë nga Elbasani.

Atentati i bujshëm ndodhi rreth orës 20:30 të datës 29 dhjetor të vitit 2018 ndaj makinës “Land Rover” ku udhëtonin Alibej, Dylgjeri dhe Durunay u derdhën një numër i madh plumbash duke shkaktuar vdekjen e mënjehershme të tyre.

ABC ka siguruar dosjen hetimore të prokurorisë në lidhje me ngjarjen në fjalë, ku gjenden edhe dëshmitë e familjarëve pak minuta pas atentatit si edhe zbulimet e prokurorisë që çuan tek organizatori i dyshuar.

Duke këqyrur kamerat e sigurisë, prokuroria ka konstatuar se makina kryesore ku kanë qenë autorët ishte një Mercedes Benz, ngjyrë gri.

Siç thuhet në dosje, mbrëmjen që u vra, Endrit Alibej ka qenë bashkë me familjen dhe turkun Durunay për një darkë tek dajet e tij në fshatin Përparim të Peqinit. Bashkë me ta ishin edhe motra e Endritit, nëna, bashkëshortja e tij, një shtetase rumune, bashkëshortja e Erion Alibejt, Arben Dylgjeri dhe të tjerë.

Ata kanë dalë rreth orës 20:30 nga shtëpia e dajave duke hipur në tre makina. Vlen të theksohet fakti se bashkëshortja e Endrit Alibejt, një shtetase rumune, fillimisht kishte hipur tek makina “Land Rover”, por pas një sherri momental me të ka zbritur duke hipur tek njëra prej dy makinave të tjera, me thë cilat po udhëtonin familjarët.

Sipas prokurorisë, në makinën e parë tip “Land Rover” mbetën Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe turku Durunay. Pas tyre, në një largësi prej disa kilometrash ndodhej makina ku udhtëtonte nëna e Alibejt, dhe pas saj një tjetër makinë, ku udhëtonte motra.

Lexo edhe: Hakmarrja! Erion Alibej e vrau Bujar Çelën në vendin ku i ekzekutuan vëllanë dhe xhaxhanë në 2018

Në dëshmi, motra e Endrit Alibejt thekson se pasi ishin nisur nga fshati Përparim janë parakaluar nga një makinë me shpejtësi duke mos dhënë detaje të tjera.

Ndërkohë që makinat i afroheshin Elbasanit, nëna e Endritit sheh se makina e tij kishte ndaluar në anë të rrugës tek rrethrrotullimi i Metalurgjisë, por nuk ndalon. Ajo merr në telefon të bijën duke i thënë “shiko pse ka ndaluar makina e çunit”.

Siç ka deklaruar para prokurorëve, në momentin që vjen në vendin ku ndodhej makina, motra e tij fillimisht mendon se bëhej fjalë për një aksident.

Menjëherë, motra e Alibejt telefonon dajen dhe i thotë se Endriti ka bërë aksident dhe se duhej të vinte aty.

Lexo edhe: Ishte “kyçur” në shtëpi, por porositi 3 vrasje! Karriera e vëllait të “Tarzanit” dhe linja e kokainës Holandë-Itali që prishi pazaret

“Pastaj pash që pjesa e mbrapme e makinës ishte shpuar me plumba”, shprehet ajo.

Në këtë moment, si personi i parë që ndodhej në vendin e ngjarjes, ajo ka tentuar të hapë derën e makinës, por pa sukses. E vetmja derë që hapej, thekson ajo, ishte ajo e pasme.

Disa sekonda më pas, në vendin e ngjajres vjen policia dhe konstatohet se të tre udhëtarët e asaj makina kishin ndërruar jetë.

Në dëshminë e tij, daja i Endrit Alibejt tregon se kur ka shkuar në vendin që e thirri mbesa, gjeti familjarët duke tentuar të hapnin dyert e makinës.

LEXO edhe: Artan Hoxha: Humbja e 50 kg kokainë solli vrasjet mafioze në Elbasan, brenda vitit u eliminuan 6 persona

Gjatë hetimeve, prokuroria ka zbuluar prej fishekëve të përdorur se ndaj makinës është qëlluar me armë automatike, kalllashnikov ose mitroloz i lehtë.

Sipas prokurorisë, dyshohet se kjo ngjarje ka sjellë edhe vrasje të tjera në Elbasan siç është ajo e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Të dy ata kanë qenë shokë të Mikeal Qosjes dhe sipas prokurorisë janë vrarë me porosi të vëllait të Endritit, Erion Alibej, i arrestuar në shtator nga policia.

Intervistë e gazetarit Artan Hoxha në ABC, data 14 dhjetor 2019

“Në kuadër të hetimeve është lidhur një marrëveshje bashkëpunimi mes një shtetasi dhe organit të prokurorisë. Bashkëpunëtori i drejtësisë, por edhe personat e tjerë të pyetur gjatë hetimeve, kanë konfirmuar dyshimin se Erion Alibej është porositës i vrasjes së Emiljano Ramazanit dhe Regis Runaj. Ka të dhëna që këto ngjarje kanë për motiv gjakmarrjen për vrasjen e shtetasit Endrit Alibej, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2018 në Elbasan”, thuhet në dosjen hetimore në lidhje me arrestimin e tij.

Erion Alibej është gjithashtu i dyshuar edhe për vrasje e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës në shtator të vitit të shkuar si hakmarrje ndaj ekzekutimit të vëllait të tij, Dylgjerit dhe turkut Durunay.

Identifikohen porositësit dhe vrasësit e atentatit

Abcnews.al raportoi në tetor 2020 se ishin lëshuar urdhër-arreste për 3 ekzekutorët dhe 2 porositësit e vrasjes së trefishte, e cila sipas hetimeve të kryera në shtetin britanik e ka zanafillën në 50 kg kokainë të humbura në Britaninë e Madhe.

Sipas të dhënave vrasja e tyre është porositur nga dy vëllezër që jetonin asokohe në Britani. Ndërsa mësohet se gjithçka ka nisur pasi në vitin 2017 në Londër një i ri nga Elbasani po transportonte 50 kg kokainë për llogari të dy porositësve. Gjatë transportit ai i ka thënë atyre se është grabitur nga disa persona në rrugët e Londrës.

Ai është marrë peng për disa orë nga disa persona, të cilët e kishin urdhëruar të bënin transportin e lëndës narkotike, ndërsa dyshonin se kishte rënë pre e grabitjes së vëllezërve Erjon dhe Endrit Alibej dhe anëtarëve të grupit të tyre.

Artan Hoxha: Ekzekutimi i Endrit Alibejt solli 14 viktima në Elbasan 

Në një intervistë sëfundmi në ABC, gazetari Investigativ Artan Hoxha ka zbërthyer të gjithë zinxhirin e vrasjeve mes dy grupeve në Elbasan. Për shkak të kësaj parplasjeje sipas tij gjatë viteve të fundit janë vrarë 14 persona.

Eliminimi i tarzanit u shoqëruar edhe me 5 atentate të tjera. Që ishin të gjitha lidhje të kësaj ngjarje. U godit krahu i Endri Alibeajt. U bë atentat në afërsi të Peqinit. Brenda 8 muaj kemi pasur një bilanc me 6 të vrarë dhe pa asnjë reagim. Autorët e këtyre ngjarjeve nuk e digjnin makinën.

Ngjarjet morën një rrjedhë tjetër kur në muajin Mars të vitit të kaluar u vrarë dy persona në Durrës dhe më pas vrasjen e dy vëllezër në Shijak. Të dy grupet ishin pronarë servisesh makinash. U krijua ideja që në serviset e tyre janë zbërthyer makinat. Nga hetimet që ka bërë deri tani prokuroria  që një nga personat e vrarë në Durrës ka qenë i përfshirë direkt në skuadrën  ekzekutorëve të Endrit Alibeajt, xhaxhait të tij dhe shtetasin turk. Kjo përplasje mes dy grupeve ka marrë deri tani 14 jetë.

I fundit ishte tani në Belgjikë. Në një hark prej dy vitesh kemi 14 të vrarë. Në krahun e Tarzanit, kemi vëllanë e tij në burg sot, Erion Alibeaj. Ngjarje që nisin nga Bradasheshi deri në Bruksel. Grupi që ka ekzekutuar Endrit Alibeajn, duket se me lëvizjen që bërti në fund në Belgjikë ka goditur trurin e grupit tjetër. Këtu përfshihet vrasja e Bujar Çelës. Urdhër arresti i publikuar dje është miratuar nga gjykata dhe besoj që tashmë do të jetë në dispozicion të INTERPOL për ta kërkuar Mikael Qosen që është marrë me organizimin e skuadrës që ka bërë vrasjet e 28 Dhjetorit 2018.

Rezulton që ky shtetas ka kohë që nuk gjendet në Shqipëri. Dyshimet janë se ky shtetas jeton në Dubai. Dyshimet të çojnë tek të dhënat që ky shtetas gjendet ose ka jetuar gjatë kësaj kohe në Emiratet e Bashkuara. Do të thotë që këta janë vendosur aty dhe e kanë parë Dubain si bazë të sigurt. Ata kanë vendosur të qëndrojnë në një vend me të cilin Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi“, tha Artan Hoxha në studion e ABC.

/abcnews.al