Një gjykatës federal në SHBA ka rrëzuar padinë për shpifje prej 10 miliardë dollarësh të ngritur nga Donald Trump kundër The Wall Street Journal dhe pronarit të saj Rupert Murdoch, lidhur me një artikull mbi marrëdhëniet e tij me Jeffrey Epstein.
Sipas vendimit të gjyqtarit federal në Florida, Trump nuk arriti të provojë se artikulli ishte publikuar me qëllim keqdashës, një element kyç për të mbështetur një padi për shpifje. Megjithatë, gjykata i dha mundësinë presidentit të paraqesë një padi të rishikuar.
Padia ishte ngritur në muajin korrik, pak pasi gazeta publikoi një artikull që rikthente në vëmendje marrëdhënien e dokumentuar të Trump me Epstein. Artikulli përshkruante një letër me përmbajtje sugjestive seksuale, e cila sipas gazetës mbante firmën e Trump dhe ishte përfshirë në një album të vitit 2003, të përgatitur për ditëlindjen e 50-të të Epstein.Kjo letër u bë më pas publike nga Kongresi amerikan.
Vendimi konsiderohet një tjetër goditje për përpjekjet e administratës Trump për të menaxhuar pasojat e publikimit të dosjeve që lidhen me Epstein, si dhe për tentativat e presidentit për të përdorur sistemin ligjor kundër raportimeve mediatike që ai i konsideron kritike ndaj tij./abcnews.al


