“Dorëzohuni ose vdisni nga uria”, zbulohet plani i Netanyahut për rrethimin e Gazës veriore

schedule14:39 - 24 Shtator, 2024

schedule 14:39 - 24 Shtator, 2024

Mediat izraelite kanë bërë publik një plan për Gazën veriore, të cilin Benjamin Netanyahu e përmendi gjatë një takimi të Komitetit të Çështjeve Ndërkombëtare dhe Mbrojtjes të Knesset.

Sipas raportit, kryeministri izraelit po shqyrton një plan për një okupim ushtarak të Gazës veriore nga IDF dhe largimin e 300,000 civilëve.

Plani, i propozuar nga gjenerali në pension i IDF, Giora Eiland dhe i mbështetur nga Forumi i Komandantëve dhe Rezervistëve, “ka kuptim”, tha Netanyahu, megjithëse shtoi se ende nuk ishte marrë asnjë vendim.

“Është një nga planet që po shqyrtohen, por ka disa të tjera”, tha Netanyahu.

Plani kërkon që Gaza veriore të shndërrohet në një zonë të mbyllur ushtarake për të vënë në vështirësi luftëtarët e Hamas atje.

Sipas CNN, qëllimi i planit është të bëjë Hamasin të dorëzohet dhe të lirojë pengjet. Sipas deklaratave të Netanyahut, 101 pengje mbeten aktualisht në Gaza. Nga këto, gjysma konsiderohen të gjalla.

Çfarë parashikon në detaje plani?

Në videon ku Giora Eiland shpjegoi planin e tij, thuhej se rreth 300,000 civilë palestinezë në veri të Gazës do të urdhëroheshin të evakuonin zonën. Një javë pas dhënies së urdhrit, IDF do të marrë kontrollin e të gjithë zonës dhe do të ndalojë hyrjen e ndihmave humanitare.

Objektivi i planit janë luftëtarët e Hamasit në zonë, të cilët sipas Reuters janë rreth 5000. Mesazhi i ushtrisë izraelite do të jetë “dorëzohuni ose vdisni nga uria”.

Nëse plani funksionon, do të shtrihet në zona të tjera të Rripit të Gazës.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!