“Erdhëm në Shkodër, që është djepi i futbollit, një qytet me kulturë. Është e pafalshme që trajneri të fusë frymë tolerimi. Shkodrën nuk e lëmë në jashtë. Edhe nëse do të kishim dalë me pikë, do të kisha dëshirë që Shkodra të shkojë atje ku dëshiron”, kështu e nisi deklaratën e tij trajneri i Skënderbeut, pas humbjes që i shkaktoi Vllaznia në “Loro Boriçi”
Tashmë gjërat janë të dukshme, dhe Skënderbeu do të luajë në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm, pasi vetëm ndonjë mrekulli mund t’i mbajë gjallë shpresat e korçarëve për mbijetesën, dhe për këtë është i vetëdijshëm edhe Skënder Gega.
Mbijetesa: “Shpresat janë të pakta, por unë mendoj që në futboll duhet një kulturë tjetër. Këta lojtarë duhet të jenë profesionistë. Nuk i takon Korçës të hapë këmbët këtu. Edhe nëse luajmë në kalçeto, duhet të japim maksimumin.
E ardhmja e lojtarëve: “E di që janë disa lojtarë premtues, shumë të rinj. Është puna e klubit se si do t’i zgjidhin. Të mbarojmë javët që kanë mbetur dhe klubi me lojtarët do të ulen e të vendosin. E rëndësishme është të bëhet analizë e rëndësishme dhe të ringrihen.”
E ardhmja e trajnerit: “Nëse kam diçka që më intereson, mund të punoj edhe në kategorinë e katërt. Kudo që të shkosh, si për kampion, si të biesh nga kategoria, ky është profesioni, do të jap maksimumin. Jemi misionarë, duhet të lëmë diçka pas. Erdha më besim se do t’ia dilnim, më vjen keq për këta lojtarë dhe qytetin e Korçës. Për aq kohë sa kam qenë këtu jam ndier shumë mirë. Jam borxhli, nëse ka projekt serioz, jam gati të punoj”. /f.a/abcnews.al