Largimi i Luka Modric nga Real Madrid është çështje kohe. Kroati ka fituar gjithçka me “Los Blancos” dhe dëshiron të provojë një tjetër aventurë në karrierë. Janarin e kaluar negocioi me Interin, ndërsa në verë me Milanin, ekip më të cilin është tifoz.
Dy klubet italiane nuk arritën të gjenin akordin me klubin spanjoll dhe transferimi u bllokua. Situata ka ndryshuar tani dhe Reali është gati të shesë për shumën e 10 milionë eurove. Zidane nuk e sheh më si pjesë kyçe të ekipit, ndërsa presidenti Perez është bindur për ta lënë të largohet.
Kuqezinjtë e Milanit mbeten kandidatët kryesorë. Zvonimir Boban ka marrëdhënie të shkëlqyera me nënkampionin e botës. Modric është një tifoz i “Djallit” dhe nuk dëshiron të mbyllë karrierën pa e veshur fanellën kuqezi.
Calciomercato raporton se lojtari është gati të pranojë një rrogë më të ulët sesa 12 milionë eurot që përfiton në Madrid. Gjithçka mbetet në dorën e drejtuesve të Milanit. Mosha e madhe nuk premton shumë sezone në nivele të larta, por një futbollist me kualitetin dhe eksperiencën e Modric është i domosdoshëm për ekipin e Stefano Piolit. /abcnews.al