Artan Grubi, ish zëvendës kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut është tashmë në arrest shtëpie teksa gjykata pritet të marrë një vendim për të, pas akuzave për korrupsion për dosjen “Lotaria shtetërore”.
Por, kthimi i tij ka trazuar ujërat në politikën e Shkupit. Ish-Partia e tij, Bashkimi Demokratik për Integrim ka deklaruar se deri në shpalljen e një vendimi për të, qëndron e drejta e prezumimit të pafajësisë, ndërsa të heshtur nuk kanë qëndruar as përfaqësuesit e kampit tjetër të shqiptarëve, ata të koalicionit VLEN në pushtet me Mickoskin.
Në një postim në faqen e tyre zyrtare në Facebook, VLEN shkruan se Grubi do ta shtyj Ali Ahmetin drejt një ekzekutimi politik, meqenëse ky i fundit ka qenë bashkëpunëtor i tij prej vitesh, madje duke e quajtur këtë moment heqjen e një tulle nga ku pritet të shpërbëhet një sistem i vjetër politik, ai i BDI-së.
Edhe VMRO, partia e kryeministrit Mickoksi e ka komentuar kthimin e Grubit. Ata thonë se Lufta kundër krimit dhe korrupsionit është përparësi dhe kushdo që ka vepruar në kundërshtim me ligjin do të duhet të përgjigjet sipas ligjeve në fuqi. Madje VMRO e përdori këtë moment edhe për të sulmuar LSDM, ish partinë e Dimitar Kovaçevskit, në kabinetin e të cilit Grubi ka qenë numri 2.
Por mediat vendase po flasin gjithnjë e më tepër për një “dorëzim të Grubit” si një mundësi për ta rikthyer në qeveri Ali Ahmetin dhe si një marrëveshje politike mes tij dhe Mickoskit. Artan Grubi sipas prokurorisë i ka shkaktuar shtetit një dëme mbi 8 milionë euro me manipulimet në prokurimit publike për disa pajisje të makinerive të lotarisë shtetërore.
Tani pyetja është a e ka hapur Grubi kutinë e Pandorës në politikën e Maqedonisë së Veriut, dhe a do të ndryshoj kthimi i tij konfigurimin politik të vendit dhe përfaqësimin e shqiptarëve në të?
/abcnews.al/


