Gianluigi Donnarumma është një nga çështjet që shqetëson Milanin. Kontrata e portierit të talentuar me kuqezinjtë, përfundon verën e ardhshme. Klubi po punon prej kohësh për të rinovuar me të, por gjetja e një akordi me agjentin Raiola është mision shumë i vështirë.
21-vjeçari përfiton 6 milion euro në sezon dhe Milani nuk mund t’i ofrojë më shumë se kaq. Gazzetta dello Sport raporton se drejtuesit po tentojnë ta bindin me projektin teknik që kanë për të ardhmen. Për të mos lejuar largimin me parametra në fund të sezonit të ardhshëm, lojtarit do t’i ofrohet rinovimi me një vit tjetër, pra deri në 2022.
Rroga, duke përfshirë edhe bonuset e shumta, do të jetë sërish rreth shumës 6 milion euro. Donnarumma ndihet mirë në Milanon kuqezi dhe klubi po përqendrohet te bindja e Raiolës, agjentit të lojtarit. /abcnews.al