Mbi 200 ndeshje me Milanin, titullar i kombëtares italiane, një ndër më të mirët në botë dhe vetëm 21 vjeç! Zoti i ka dhuruar shumë talent Gianluigi Donnarummës, por edhe fati nuk i ka munguar. Kuqezinjtë kanë një “thesar” mes shtyllave dhe po bëjnë maksimumin për t’i dhuruar një kontratë të re (aktualja i përfundon verën e vitit të ardhshëm).
Christian Abbiati, ish-portieri i njohur i Milanit, thur elozhe pa fund për “gardianin” e ekipit të Piolit në një deklaratë për Gazzetta dello Sport. “Donnarumma duhet të bëhet Cristiano Ronaldo i portierëve. Domethënë, 100% profesionist, i cili kujdeset gjithmonë për çdo detaj.
Për mendimin tim, momentalisht është një ndër tre portierët më të mirë në planet. E ardhmja e tij? Mund të qëndrojë gjithë jetën te Milani, e shpresoja diçka të tillë më parë, akoma dua ta shoh me këto ngjyra deri në fund të karrierës.
I vetmi dyshim është se mund të vijë një ditë kur mund të lodhet dhe të thotë: ‘Dua të fitoj këtë trofe’. Rëndësi ka që klubi të mos e humbasë me parametra zero, nuk do e pranoja dot një opsion të tillë“, deklaron Abbiati. /abcnews.al