Milani e zhbllokoi shpejt sfidën, zhvilloi ndeshjen më të mirë të sezonit përballë Torinos, por humbi sërish. Kuqezinjtë nuk arritën të mbyllnin takimin dhe Andrea Belotti i ndëshkoi dy herë brenda katër minutash, duke i dhuruar tre pikë të arta ekipit granata.
Gigio Donnarumma ka folur për “Sky Sport” në lidhje me humbjen e fundit, trajnerin Giampaolo dhe objektivin e Milanit për këtë sezon. Të dielën është ndeshja kundër Fiorentinës dhe portieri i talentuar bën thirrje për reagim nga ana e kuqezinjve.
TORINO – “Ishte një humbje që djeg. E pabesueshme të humbasësh pas një paraqitje të tillë. Vuajta për të fjetur, por duhet të reagojmë. Kam besim, pasi skuadra zhvilloi një ndeshje shumë të mirë.”
GIAMPAOLO – “Duhet ta ndjekim trajnerin gjithmonë. Po punojmë mirë dhe diçka të tillë e treguam edhe mbrëmjen e kaluar. Duhet të vihemi të gjithë në krah të trajnerit tonë. Jemi në drejtimin e duhur, por duhet të tregohemi më efikas në mbylljen e ndeshjeve. Giampaolo është një trajner i madh dhe jemi të gjithë përkrah tij. Duhet të besojnë tek ekipi jonë, sepse jemi një grup shumë i mirë, punojmë fort dhe kemi një trajner me ide shumë të mira.”
OBJEKTIVI – “Mund të kualifikohemi në Champions. Ky është objektivi ynë dhe duhet të bëjmë gjithçka për ta realizuar. Jemi të rinj, plot dëshirë për të bërë mirë dhe unë besoj se mund t’ia dalim. Të gjithë duhet të besojmë.”
FIORENTINA – “Pres një paraqitje plot karakter dhe duhet të jemi agresivë që në fillim. Besoj se do ja dalim të fitojmë edhe me ndihmën e tifozëve.” /abcnews.al

