Doni të fitoni një punë të re? Si të shkruani një letër të mirë motivuese

schedule18:26 - 13 Shkurt, 2022

schedule 18:26 - 13 Shkurt, 2022

Letrat motivuese konsiderohen shpeshherë kyçe për pranim në universitet, për të fituar bursë apo ndonjë vend pune.

Këto letra njihen ndryshe edhe si letra aplikimi.

Një pjesë e mirë e studentëve harxhojnë shumë energji për të shkruar këtë letër dhe prapëseprapë mund të mos jenë të kënaqur me rezultatin.

Shkruajnë, heqin paragrafë, janë në kërkim të ideve, i kap paniku se çfarë të vendosin në fillim e çfarë në fund të letrës.

Venera Kolshi – Shala, e cila merret me këto letra në baza ditore në agjencinë për konsulencë në fushën e arsimit, Wiseword Kosova, këshillon që ky dokument të mos përfundohet brenda një dite.

“Duhet ta shkruani një herë, ta lini që të kalojë një kohë, një ditë mbase, të nesërmen që t’i ktheheni që të shihni ku keni mundur të gaboni, në mënyrë që ta korrigjoni atë”.

Çfarë duhet të ketë kjo letër?

Në letrën motivuese një person tregon kush është, pse po aplikon për një program të caktuar, cilat janë aftësitë, interesat dhe planet që ka në kokë. Ata që punojnë në zyrat e pranimit këshillojnë që çfarëdo elementi që përmendet, të qartësohet sa më shumë.

Tove Karnerud, koordinatore në Departamentin për Administrim Biznesi në Universitetin Lund në Suedi, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se çfarë ia merr vëmendjen kur lexon një letër motivuese.

“Një letër që tregon se kush jeni me të vërtetë dhe që nuk përdor fraza të thata. Frazat e thata janë goxha të shpeshta… se ju jeni njeri pozitiv. Nëse jeni njeri pozitiv, na tregoni si jeni pozitiv në mënyrë që unë ta kuptoj. Është, po ashtu, e rëndësishme të tregoni pse e doni këtë program në veçanti, jo vetëm pse dëshironi të shkoni në Universitetin Lund apo në universitete tjera. Pse pikërisht këtë program? Çfarë të intereson aty? A e keni lexuar kurrikulën? A është ndonjë lëndë? A është ndonjë kah i programit? A janë mësuesit?”.

Sipas Shërbimit për Pranime në Universitete dhe Kolegje në Britani të Madhe – organizatë që merret me procesin e aplikimit në këtë shtet – shfaqja e interesimit për drejtimin që zgjidhni është gjë shumë e rëndësishme.

  • Nisni duke treguar pse e keni zgjedhur atë drejtim.
  • Në hyrje tregoni për motivin që keni për të studiuar aty dhe se e kuptoni drejtimin
  • Flisni me entuziazëm nga fillimi dhe
  • Lidheni fillimin e letrës me fundin e saj
  • Po gjërat që nuk duhet përmendur në këtë letër?

“Në letrën motivuese është mirë që të shmangemi prej pjesëve që kanë të bëjnë me politikën, racizmin ose religjionin. Këto janë disa çështje që nuk duhen në një letër motivuese, por edhe pjesa e humorit, ose diçka e tillë, mund të keqinterpretohet kështu që më mirë është që të shmanget”, thotë Kolshi-Shala.

Kontrolloni mirë faqen e universitetit para aplikimit
Tove Karnerud nga Universiteti Lund tregon se disa universitete e kanë praktikë që në faqet e tyre të bashkëngjisin një format të letrës, përmes së cilës marrin përgjigjet që duan.

“Ne jemi në kërkim të përgjigjeve specifike. Shembull në një program ne pyesim: Çfarë kursesh keni kryer që mund t’ju kenë përgatitur për këtë? Kjo na ndihmon të vlerësojmë nëse ata kanë njohurinë e nevojshme të përfundojnë studimet master në atë program”, ka thënë Karnerud.

Nëse nuk ka format të veçantë, Venera Kolshi – Shala nga Wiseword Kosova, tregon më shumë për trupin e një letre të tillë.

“Çdo letër motivuese duhet ta ketë një format, strukturë. Gjithmonë është parahyrja ku mund të ceken informatat se kush je ti, kujt po ja adreson. Mandej është hyrja. Në hyrje ceket institucioni që i drejtohet dhe në pikë të shkurtra se kush je ti, kush është motivi yt dhe pastaj kalojmë në pjesën e mesit të letrës ose thelbi. Aty është pjesa që në fakt e tërheq vëmendjen e lexuesit”.

Një letër motivuese nuk duhet të ketë më shumë se 150-250 fjalë, apo një faqe A4.

Edhe me fonte duhet pasur kujdes.

Rekomandohen:

Times New Roman
Tahoma
Arial
Calibri

Madhësia e shkronjave duhet të jetë 11 ose 12.

Për të aplikuar në shumicën e universiteteve jashtë Kosovës, letrat duhet shkruar në letrën angleze dhe ajo nuk është gjuha e parë e studentëve nga Kosova.

Aplikacionet si Grammarly apo ProWritingAid, mund të ndihmojnë në shmangien e gabimeve drejtshkrimore.

Mos përsërisni të gjitha detajet e CV-së

Në dosjen e aplikimit për bursë apo studime universitare, një student duhet të ketë edhe një CV, notat e shkollimit deri në atë periudhë dhe nivelin e gjuhës angleze.

Zonja Karnerud nga Universiteti Lund këshillon që në letrën motivuese të mos përsëriten të gjitha detajet e CV-së.

“Disa shkruajnë letra vetë dhe pak a shumë përsërisin atë që kanë nëpër CV-të e tyre. Disa tregojnë sa shumë e duan Universitetin Lund dhe ne nuk e kërkojmë as këtë. Ne jemi në kërkim të studentëve që janë të interesuar në programet tona apo në programin ku aplikojnë”.

Shtatë sekonda për impresionim

Sipas faqes ResumeLab, nga 200 vendimmarrës të anektuar, 83 për qind e tyre kanë thënë se një letër e mirë motivuese mund t’ia sigurojë intervistën një kandidati.

Linda Spencer, e cila ka punuar për kohë të gjatë si këshilluese e karrierës në Universitetin e Harvardit ka thënë se një punëdhënësi i duhen shtatë sekonda për të parë aplikacionin tuaj.

Ose vazhdojnë lexojnë, ose letrën e flakin tutje. /REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!