Në këtë ligë është e pamundur të mos e pësosh. Dihej që një ditë Luka Doncic do të provonte humbjen e parë, por ndoshta nuk mendohej kaq shpejt, që në ndeshjen e dytë.
Kjo ndodhi dhe disa pikëpyetje u ngritën pasi Lejkërsat u thyen bindshëm nga Juta Xhaz në Solt Lejk Siti.
Rezultati 131-119 nuk lë shumë vend për diskutime, ndërsa finlandezi I vendasve, Lauri Markanen, u tregua më I fortë se dyshja e Liqenasve, e përbërë nga Donçiç dhe Lebron Xhejms.
Basketbollisti shtatlartë 2.12 metra shënoi 32 pikë në 32 minuta duke lënë në hije superyjet miq. Donçiç këtë herë realizoi 16 pikë, kapi 4 topa në tabela e dha 4 asistë në 23 minuta në parket, duke gabuar mjaft herë në gjuajtje, madje edhe në ato të lira.
Lebroni luajti më shumë, 33 minuta e 40 sekonda, por as ai nuk ishte vetvetja. Tetëmbëdhjetë pikë nuk mjaftuan, as 6 topat në tabela e 7 asistët.
Çfarë ndodhi në Arenën e Solt Lejk Sitit? Padyshim, asgjë dramatike, dhe komentet e mediave amerikane ishin që Lejkërsat po provojnë të luajnë me dy lojtarë të ngjashëm si Donçiç e Lebron, diçka që nuk e kanë bërë më parë, dhe që do të kërkojë kohë të koordinohen siç duhet.
Për më tepër, Liqenasit nuk janë larg vendit të dytë në Konferencën Perëndimore.