Donald Tusk në Shkup, takime me Presidentin Pendarovski dhe Kryeministrin Zaev

schedule13:14 - 17 Shtator, 2019

schedule 13:14 - 17 Shtator, 2019

Kryetari i Këshillit të Evropës, Donald Tusk është i bindur se Maqedonia e Veriut i ka kryer detyrat e shtëpisë rreth marrjes së datës për negociata dhe pret që liderët e BE-së ta konfirmojnë këtë në Tetor. Ai, në një konferencë të përbashkët për media me Kryeministrin Zaev, nuk ka kursyer lëvdata për përpjekjet e Shkupit gjatë dy viteve të fundit.

“Përpjekjet e Maqedonisë së Veriut ishin të shkëlqyera. U bëtë kampion të pjekurisë politike në rajon. Dua të jetë e qartë si kristali se nuk ekzistojnë dyshime në Bruksel lidhur me obligimet tuaja politike për sundimin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Shkupi është vendi më i mirë, prej nga ku mund t`ju bëj thirrje liderëve të BE-së, që ta kryejnë punën e tyre, për shkak se Maqedonia e Veriut i ka kryer punët e veta”.

Kryeministri Zaev vlerësoi se është me interes të përbashkët politik edhe për Maqedoninë e Veriut por edhe për BE-në që të miratohet data e negociatave.

“Po hyjmë në një rrugë të thellë e të gjatë transformimi deri te caku, anëtarësimi në BE, konform politikave dhe rregullave të BE-së, e në dobi të qytetarëve tanë. Dëshira jonë është që këtë miqësi të përbashkët ta kurorëzojmë në Tetor me një sukses të përbashkët. Bashkë, për shkak se është interes edhe për Maqedoninë e Veriut dhe për BE-në”.

Kryetari i Këshillit Europian Donald Tusk në Shkup është takuar edhe me Presidentin Stevo Pendarovski. Mandati i Presidentit aktual të Këshillit Evropian skadon më 1 Dhjetor, ndërsa në vend të tij do të jetë Kryeministri i Belgjikës, Charles Michel./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!