Donald Trump mund dhe duhet që të ndiqet penalisht

schedule16:51 - 9 Janar, 2021

schedule 16:51 - 9 Janar, 2021

Nga Jennifer Rubin, The Washington Post

Sulmi i së mërkurës ndaj Capitol Hill e tronditi aq shumë SHBA-në, sa që ne rrezikojmë të mos e perceptojmë plotësisht shkeljen unike të ligjit që përfaqëson ai. Imagjinoni sikur të diskutojmë nëse duhet të ndjekim apo jo penalisht terroristët islamikë, apo terroristët e brendshëm ai në Oklahoma, apo një masakër në ndonjë shkollë amerikane.

E njëjta urgjencë që do të kishim në ato raste, duhet të zbatohet për të mbajtur ligjërisht përgjegjës të gjithë personat e përfshirë në sulmin ndaj Capitol Hill. Kjo përfshin jo vetëm pjesëmarrësit, por edhe të gjithë të tjerët që e nxitën atë.

Sulmi i turmës solli jo vetëm një dhunë me pasoja vdekjeprurëse, por ai gjithashtu u përpoq të rrëzonte demokracinë tonë. Ishte në të gjitha kuptimet e fjalës një kryengritje, siç përcaktohet në ligjin federal: Nëse 2 ose më shumë persona në ndonjë shtet ose territor, ose në çdo vend që i nënshtrohet juridiksionit të Shteteve të Bashkuara, komplotojnë për të përmbysur, vendosur ose shkatërruar me forcë qeverinë e Shteteve të Bashkuara, apo për të nisur luftën ndaj saj, ose për të kundërshtuar me forcë autoritetin e saj, ose për të parandaluar, penguar apo vonuar me forcë ekzekutimin e ndonjë ligji të Shteteve të Bashkuara, apo për të aneksuar ndonjë pronë të Shteteve të Bashkuara në kundërshtim me autoritetin e tij, do të gjobitet ose do të burgoset për jo më shumë se 20 vjet, ose që të dyja bashkë”.

Sapo ta kuptojmë peshën dhe unike të kësaj çështje, ne mund të vlerësojmë se duhet të dalin para drejtësisë jo vetëm pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë në atë ngjarje, por edhe ata që i financuan, organizuan dhe nxitën ata. Nëse do të kishte një komplot (pra një marrëveshje të hapur për të sulmuar Capitol Hill), atëherë të gjithë anëtarët e atij komploti mbeten përgjegjës për krimet që pasuan.

Nga ana e tij presidenti Trump, mund të përpiqet ta falë veten, por diçka e tillë nuk është e mundur. Faljet vijnë nga tradita e sovranit që të pasur mëshirë për të tjerët. Monarkët dhe përfaqësuesit e tyre (për shembull guvernatorët mbretërorë) ishin të imunizuar nga ndjekja penale, ndaj ideja e vetë-faljes ishte e pakuptimtë.

Kur Themeluesit  e SHBA-së miratuan kompetencën e faljes (“Presidenti… do të ketë pushtet për të dhënë ndëshkime dhe falje për vepra penale kundër Shteteve të Bashkuara, me përjashtim të rasteve të fajësimit (impeachment), ata përdorën gjuhën që njihej në atë kohë.

Por “falja” ishte dhe mbetet një folje kalimtare. Frank O.Bowman III shkruan për Just Security :Fjalori Anglisht i Oksfordit, shpjegon se fjala angleze “pardon”, falje, si emër dhe si folje është një huazim nga gjuha franceze dhe rrjedh nga dy rrënjë latine:par, që do të thotë “nga”, dhe donum, dhuratë, që do të thotë të bësh një dhurim ose dhuratë.

Pra falja është një lloj dhurate, dhe falja do të thotë ta japësh një dhuratë të tillë. Akti i dhënies së dhuratave, kërkon si një dhurues, ashtu edhe një marrës. Megjithëse ndonjëherë flasim lirshëm mbi t’i bërit vetes një dhuratë, në kuptimin e lejimit të vetes të një kënaqësie të caktuar, kuptimi i zakonshëm i fjalës dhuratë, dhe kësisoj edhe veprimit i faljes, kërkon dy palë.

Sikur të ishte menduar “vetë-falja”, Themeluesit do t’i kishin siguruar presidencës kartën “jashtë burgut përjetë”, një koncept i pahijshëm që bie ndesh me vendimin themelor për të braktisur një monarki, në favor të një presidenti me kompetenca të kufizuara.

Duke qenë se Trump nuk mundet ta falë veten, ai ka dy zgjedhje:Të japë dorëheqjen dhe të shpresojë që zëvendëspresidenti Mike Pence, të cilin ai po e përçmon gjatë gjithë javës, ta falë, ose potencialisht të përballet me pasojat, duke nisur nga ora 12:01 e pasdites së 20 Janarit.

Veprat e mundshme – komploti për të kryer kryengritje, nxitja për trazira (duke rezultuar edhe në vdekje) – janë aq të rënda dhe unike sa të shmangin çdo lloj shqetësimi në lidhje me një ndjekje penale “politike”.

Ne nuk duhet ta ndjekim penalisht Trump për ndonjë veprim para zgjedhjeve. Megjithëse faktet që lidhen me ndjekjen penale (p.sh një model i nxitjes së dhunës, dërgimi i mesazheve tek mbështetësit e tij të dhunshëm), do të ishin shumë të rëndësishme.

Mos harroni, se Trump do të kishte një larmi alibish. Ai mund të pretendojë se nuk e kishte idenë që grupi i mbështetësve do të regonte në mënyrë të dhunshme, megjithëse vonesa e tij në apelin që duhej të bënte ndaj tyre për të shkuar në shtëpi, sugjeron se ai e miratoi në heshtje veprimin e tyre.

Amendamenti i Parë nuk lejon që dikush të ndiqet penalisht për ide, por afërsia me Capitol Hill, nxitja verbale për të marshuar atje, dhe deklarata e tij se “Nëse nuk luftoni si djaj, nuk do të keni më një vend në SHBA”, janë që gjithë kundër tij.

Ndërsa nuk foli për vepra penale, ish-Prokurori i Përgjithshëm William P.Barr shpjegoi me të drejtë se “orkestrimi i një turme për t’i bërë presion Kongresit, është i pafalshëm”. Termi “orkestrim” është një përshkrim i përsosur jo vetëm i nxitjes së menjëhershme, por edhe i një komploti të mundshëm.

Kujtojmë që ishte Trump, ai u kërkoi ndjekësve të vinin në Uashington. Më 20 dhjetor, ai shkroi në Twitter, “ Është statistikisht e pamundur të kem humbur zgjedhjet e vitit 2020. Protestë e madhe në Uashington më 6 janar. Hajdeni atje, do të bëhet nami!”.

Për më tepër, mos harroni se në rastin e një komploti, vetëm ai është përgjegjës për të gjitha veprimet që rrjedhin nga ai komplot. Siç shpjegon një raport i Shërbimit Kërkimor të Kongresit , “përgjegjësia e individëve të përbetuar, vazhdon që nga koha kur ata iu bashkuan komplotit, deri sa të mbarojë ose derisa të tërhiqen”.

Asnjë president nuk ka bërë asgjë të ngjashme me atë që bëri të mërkurën Donald Trump. Ndaj ndjekja e tij penale, nuk do të rrezikonte të kriminalizonte aktivitetin e zakonshëm politik, apo edhe një sjellje tepër të papranueshme (si pengimi i drejtësisë, që u zbulua nga hetimi i Robert Mueller). Ndërsa po arrijmë të kuptojmë peshën e veprës politike dhe penale të së mërkurës, konceptim i lejimit të Trumpit që “t’ia hedhë” edhe këtë herë, mund të shihet me të drejtë si i neveritshëm. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al