Presidenti Donald Trump ka mbrojtur adoleshentin, i cili vrau dy protestues në SHBA. Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë adoleshenti veproi për tu vetëmbrojtur.
Presidenti amerikan tha se 17-vjeçari Kyle Rittenhouse “ndoshta do të ishte vrarë” nëse nuk do të kishte ndërmarrë ndonjë veprim gjatë skenave kaotike në Kenosha, Wisconsin javën e kaluar.
Demonstruesit dolën në rrugë pas të shtënave të policisë ndaj njeriut me ngjyrë Jacob Blake, 29 vjeç dhe pasuan përleshjet me forcat e rendit.
“Ai po përpiqej të largohej prej tyre, me sa duket, dhe ai ra, pastaj ata e sulmuan atë me shumë dhunë”, tha Trump të hënën, duke iu referuar Rittenhouse.
“Ishte diçka që ne po e shikojmë tani dhe është nën hetim, por unë mendoj se ai ishte në telashe shumë të mëdha. Ai ndoshta do të ishte vrarë. Tani është nën hetim,” shtoi ai. /abcnews.al