Nuk cilësohet si favorit, por nuk duhet nënvleftësuar.
Çelsi dha një provë të vërtetë e serioze në nisjen e Kupës së Botës për Klubet, duke dominuar një rival si Los Anxhelos FC, ndoshta jo më të fortin e mundshëm, por as për t’u hedhur poshtë.
Blutë e Londrës fituan 2-0 me rezultat, me gola të shënuar nga Pedro Neto në 34’ dhe Enzo Fernandez në 79’, por sidomos me epërsi të dukshme në fushën e Arenës “Mercedes Benc” në Atlanta.
Skuadra e trajnerit Enzo Mareska pati 17 gjuajtje gjithsej ndaj 7 të amerikanëve, mbajti topin jo më pak se 66 për qind të kohës, ndërsa diferenca në goditjet nga këndi ishte tepër e thellë: 7-1!
A mund të thuhet se Çelsi ka pretendime për ta fituar këtë trofe të madh, edhe pse rishtar?
Është herët ta thuash, por po flasim për një ekip që ka dalë dy herë kampion I Europës, dhe të fitosh dy herë Championsin në histori nuk është gjë e vogël.
Natyrisht, Blutë e Londrës kishin ndryshime në formacion, por gjithsesi faza ofensive me lojtarë si Palmet, Neto, Madueke e Nikolas Xhekson, si dhe Enzo Fernandez që hyri pas pushimit, është tepër e fortë dhe e rrezikshme.
Kjo ishte nisja e duhur e konkurrimit në Shtetet e Bashkuara për Çelsin, që pritet të kualifikohet pa problem në fazën e dytë, ku nëse fiton grupin mund të ndeshet me rivalë si Benfika apo Boka Juniors. / abcnews.al