Rituali i dollisë do të njihet si vlerë kombëtare e trashëgimisë. Vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore jomateriale.
Ngritja e dollisë, gjerësisht e njohur në Shqipëri ka si objekt respektimin dhe kushtimin e vëmendjes ndaj mikut.
Pedagog i Financës në Fakultetin Ekonomik ne UT, autor i monografisë “Dollia shqiptare”, Sherif Bundo, në një intervistë në emisionin “ABC e Mëngjesit” në ABC News tha se Dollia ka si objekt respektimin dhe kushtimin e vëmendjes ndaj mikut.
“Kam intervistuar njohës shumë të mirë të traditës, me një shtrirje në të gjitha zonat që përbën dollia. Dollia me verën ka njëfarë kufiri, nuk mund të ngrihet dolli me birrë, apo pije freskuese, por sigurisht është rakia. Por rakia e përdorur në familjet shqiptare është vërtet e veçantë. Unë kam gjetur vlerësime të kërkuesve për rakinë. Ajo që më ka bërë përshtypje është një shkrim i një studiueseje ruse. E cila e vlerëson se rakia në Shqipëri është e jashtëzakonshme dhe e veçante dhe kuptohet kur përdoret në doza jo të tepruara”, tha mes të tjerash ai.
Më tej nënvizoi se dollia është në njëfarë mënyrë “teatri” ku luhen pjesë të rëndësishme dhe ajo që ne e njohim si spektakël e shumë të tjera.
/abcnews.al/