Dollari në tregun vendas zbret në nivelin më të ulët në 6 vjet

schedule07:55 - 20 Gusht, 2020

schedule 07:55 - 20 Gusht, 2020

Monedha e gjelbër ka shënuar një rënie të fortë ditët e fundit në tregun vendas. Dje, një dollar u kumbye me 103.82 lekë, me një rënie prej 0.29 lekë në raport me një ditë më parë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.

Ky është niveli më i ulët në 6 vjet, që nga fundi i korrikut të vitit 2014, sipas serive kohore të Bankës së Shqipërisë.

Aktorët e tregut pohojnë se rënia e dollarit në tregun vendas lidhet me nënçmimin e tij kundrejt euros në tregjet ndërkombëtare, por edhe me faktin se rritja e monedhës së përbashkët në bursa nuk po reflektohet në tregun vendas.

Ndonëse në bursa euro arriti në 1.19 dollarë, niveli më i lartë në gati tre vjet, në tregun vendas ajo ishte në rënie të lehtë. Monedha e përbashkët u këmbye me 123.8 lekë, me një rënie prej 0.02 lekësh në raport me ditën e mëparshme.

Si rrjedhojë, në mënyrë që të ruhen raportet e kryqëzuara me bursat ndërkombëtare, kjo sjellje është reflektuar në një tkurrje më të fortë të dollarit në tregun vendas.

Aktorët e tregut pohojnë se euro mbetet e nënçmuar në vend, pavarësisht rritjes së saj në bursa, për shkak të efekteve sezonale, të cilat ndonëse të dobëta, për shkak të kufizimit të turizmit dhe ardhjes së emigrantëve nga pandemia, po ndihen edhe gjatë këtij gushti.

Dollari bie në nivelin më të ulët në 27 muaj në bursa

Në bursat ndërkombëtare, dollari ra më tej të mërkurën, duke u luhatur afër nivelit më të ulët në 27 muaj, pasi një vale shitjeje në bursën e Wall Street, që iu shtua presioneve mbi monedhën pas tensioneve të tregtisë mes Uashingtonit dhe Pekinit.

Marshall Gittler, kreu i departamentit të investimeve në BDSwiss Group, tha se ka dyshime lidhur me progresin e SHBA-ve për kontrollin e përhapjes së COVID-19, shqetësimeve për bisedimet tregtare Kinë-SHBA ndërsa ka dilema nëse Kongresi do të arrijë të miratojë një tjetër paketë lehtësuese. Të gjitha këto po peshojnë mbi dollarin.

Euro ka qenë përfituesja kryesore nga dobësimi i dollarit, duke u forcuar me 6% kundrejt dollarit, që nga fundi i qershorit Monedha u rrit me 0.1% hgjatë ditës, duke qëndruar mbi $1.19. /Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!