Një i ri shqiptar është arrestuar nga autoritetet italiane pasi u kap me lëndë narkotike. Sipas mediave, ai quhet Lorenc Paraj dhe është 24 vjeç. Kapja e tij u realizua pas një ndjekje spektakolare me makinë dhe më pas në këmbë.
Mësohet se fillimisht i riu nuk i ndaloi një patrullë policie. Pas kësaj, agjentët u vunë në ndjekje të makinës “Lancia Y” që drejtohej nga Paraj. Por ky vendim i shqiptarit ishte i gabuar pasi makina u bllokua.
Megjithatë, Paraj doli nga dritarja e mjetit dhe tentoi të arratisej në këmbë drejt qendrës së Albisola-s. Fillimisht ai kaloi disa rrugë dhe ngjiti një mur. Këtu pësoi edhe një dëmtim në kavilje.
Ndërkohë agjentët e policisë e ndiqnin këmba-këmbës 24-vjeçarin. Në përpjekje për ta ndaluar, policët qëlluan të paktën gjashtë herë me armë zjarri në ajër. Në pak minuta, Paraj u ndalua dhe u vu në pranga.
Pas kontrollit të makinës së të riut, policia gjeti 31 kilogramë marijuanë, të cilat u sekuestruan. Paraj u dërgua fillimisht në komisariat për të dhënë shpjegimet për ngjarjen dhe më pas u dërgua në burg ku pritet të dalë para gjykatës./abcnews.al


