(Dokumenti) Zyrtarët e “Mbrojtjes” në gjyq për tenderin e ushqimeve, SPAK: Caktuan fituesin

schedule17:59 - 1 Mars, 2021

schedule 17:59 - 1 Mars, 2021

SPAK mbylli hetimet dhe do të dërgojë në gjyq tre zyrtarë të anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave pranë Ministrisë së Mbrojtjes, Ylli Imerin, Dafina Keçën dhe Andrea Dapajn për shkelje të barazisë në tendera dhe drejtorin e rezervave të shtetit Sokol Zaimi për shpërdorim detyre.

Por për cfarë akuzohen? Në dokumentin e siguruar nga gazetari i ABC-së, Ermal Vija SPAK thekson se pas regjistrimit të kallëzimit nga PD-ja në datë 10 prill të vitit të kaluar nisi hetimet për tenderin e ushqimeve dhe atë të blerjes së materialeve mbrojtëse për personelin e Forcave të Armatosura.

Konkretisht për tenderin e ushqimeve SPAK thotë se nga hetimet ka rezultuar se “Ministria e Mbrojtjes në 25 mars të vitit 2020 bëri shpalljen e procedurës me negociom pa shpallje paraprake për blerjen e ushqimeve për familjet në nevojë si rezultat i situatës së krijuar nga pandemia. Kompania fituese ishte Eurovia”.

Loti i dytë lidhet me materialet mbrojtëse për personelin e FA-së, që po sipas SPAK “u bë me negociom pa shpallje me fitues XPERT SYSTEMS”. Në përfundim të hetimeve, sipas SPAK rezulton se “Ylli Imeri, Dafina Keça dhe Andrea Dapaj kanë krijuar favorizim apo përcaktim për fituesit”.

Ndërkohë që drejtori i komanduar i Rezervave të Shtetit ka shpërdoruar detyrën duke mos vepruar dhe për këtë shkak fondi limit për lotin e parë është përllogaritur në një vlerë më të madhe.

Për tenderin u mor në pyetje edhe Olta Xhaçka, asokohe ministre e Mbrojtjes. PD-ja akuzoi kryeministrin dhe ministren e Mbrojtjes se dhanë një tender 1,5 milion euro për furnizimin me ushqime të Rezervave të Shtetit pa garë./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!