Avokati i Emiljano Shullazit Vladimir Meçi ka ankimuar vendimin për futjen në izolimin “41 bis” të klientit të tij dhe anëtarëve të tjerë të bandës.
Në arsyetimin e avokatit të zbardhur nga ABC News, thuhet se Shullazi nuk ka statusin e të dënuarit dhe nuk bën pjesë në kategorinë e subjekteve të përcaktuara që duhet të izolohen në këtë regjim.
“Duke analizuar sa më sipër më rastin e të mbrojturit prej meje Emiljano Shullazi nuk rezulton që të jemi përpara një rasti të veçantë që të diktojë zbatimin ndaj tij të regjimit të posaçëm. Edhe urdhri i Ministrit të Drejtësisë nuk e argumenton një gjë të tillë, pra, nuk kemi të bëjmë me kriterin e përcaktuar.
Emiljano Shullazi është gjykuar vetëm nga gjykata e shkallës së parë, pra nuk ka statusin e të dënuarit dhe siç rezulton nga vendimi i gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, të pesë gjyqtarët e trupës gjyqësore, kanë vendosur nisur nga rrezikshmëria shoqërore e të gjykuarve që ata ta vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme! Pra, Emiljano Shullazi nuk bën pjesë në kategorinë e subjekteve të përcaktuara”
Duke cituar Ministrinë e Drejtësisë për kontakte të të burgosurit me persona të tjerë të organizatës kriminale, ai përmend edhe marrëdhënien farefisnore me dy prej anëtarëve të bandës.
Avokati thotë se gjykata nuk mund të ndalojë marrëdhënien njerëzore mes Shullazit dhe anëtarit tjetër të bandës, nipit të tij Endrit Zela
“Ajo që tuhet në urdhrin e Ministrit të Drejtësisë, për Emiljano Shullazin se “subjekti mban komunikime* kontakte me organizatën kriminale ku bën pjesë edhe me organizata të tjera , si dhe me të paraburgosurit e tjerë të cilët i përkasin së njëjtës organizatë dhe organizatave të tjera, me të cilat bashkëpunojnë” është e paplotë dhe nuk vërteton qëllimin e këtyre kontakteve apo komunikimeve.
Emiljano Shullazi ka qenë i paraburgosur në IEVP 313, bashkë me të kanë qenë edhe nipi i tij Endrit Zela, shoku i tij i fëminisë Gilmando Dani dhe kushëriri i tij Blerim Shullazi, të gjithë këta sipas gjykatës janë pjesë e së njëjtës organizatë kriminale”,
kujtojmë se mes qenieve njerëzore ka edhe marrëdhnie njerëzore daja do e takojë e do flasë me nipin e tij dhe do kujdeset për të dhe kjo nuk mund të quhet as kriminale dhe e kundraligjshme”.
Meçi gjithashtu thekson se Shullazi ka qenë i punësuar në Bibliotekën e Burgut duke dëshmuar sjellje të mirë, ndërsa shpreh habi për vendimin e papritur për ta izoluar atë.
“Emiljano Shullazo ka në paraburgim plot 4 vjet dhe 3 muaj, në dy vjetë e gjysmë ka qenë i punësuar më bibliotekën e Burgut dhe nuk ka asnjë vërejtje apo masë disiplinore ndaj tij.
Si ta shpjegojmë që ky individ, ka respektuar me përpikmëri rregulloren nga njëra anë dhe një ditë të bukur me diell, “rrufe në qiell të pastër” u bë “Armiku Publik” që duhej patjetër të izolohej në regjimin 41 bis?!”, shkruan avokati.
Emiljano Shullazi u dënua nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda me 14 vite burg, ndërsa grupi në total me 55 me për krijim të grupit të strukturat kriminal, gjobëvënie dhe kanosje për shkak të detyrës./abcnews.al