Dokumentari për shqiptarët në Siri, gazetari: Ka ende 50 gra dhe fëmijë në kampin Al-Hol

schedule09:22 - 15 Shtator, 2021

schedule 09:22 - 15 Shtator, 2021

Gazetari Taulant Kopliku, i cili ka parë nga afër situatën e shqiptarëve në kampet siriane tha gjatë një interviste për emisionin “Abc-ja e mëngjesit” se ka shumë gra dhe vajza që gjenden atje, ku janë të rrezikuar për jetën. Duke folur për dokumentarin “DAESH” që flet pikërisht për situatën kritike në Siri, ai bëri thirrje ndaj autoriteteve t’ju vijnë në ndihmë.

“Janë rreth 50 persona, gra dhe vajza që shteti duhet të ndërhyjë për t’i sjellë. Ne kemi qenë në të dy kampet, Al-Hol dhe Roj. Situata në Al-Hol është e tmerrshme, ka dhunë të jashtëzakonshme dhe nëse nuk i bindesh rregullave të ISIS, rrezikon jetën. Duhet të ketë një ndërhyrje për t’i sjellë këta persona.

Një dramë tjetër është e familjes Shuli nga Pogradeci që janë në Al-Hol, janë vajza të mitura që kërkojnë ndihmë por nuk është bërë gjë për kthimin e tyre.“, tha gazetari. Më tej, ai u ndal dhe tek një intervistë me një xhihadist nga Kosova që ka realizuar në një nga burgjet në Siri.

“Më bëri përshtypje ftohtësia e tij, sytë e tij janë sytë e një personi i cili nuk e di se çfarë mendon. Të gjithë normalisht e mohojnë të jenë të përfshirë në krime. Të gjithë përdorin të njëjtën strategji dhe xhihadisti nga Kosova. Kuptohet që dallohej qartë në mënyrën se si komunikonte ishte një sajesë e tij. Ishte shumë i akullt, jo vetëm në përgjigje por dhe sytë që të shikojnë.”, tha ai. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!