Doktori, Basha dhe PD

schedule14:53 - 15 Shtator, 2021

schedule 14:53 - 15 Shtator, 2021

Nga Skerdjan Dhuli
Kur unë linda në tetor të ’91, babai donte që emrin ta kisha Sali prej dashurisë së palimitshme që kishte për dr Berishën.  Atëkohë ime më e sapo dalë nga persekutimi që në familjen e saj kishte nisur që në ’48 kur gjyshi shkoi në burg, kishte frikën e një persekutimi të dytë sepse ajo besonte, dhe koha i dha të drejtë, se komunistët nuk ishin rrëzuar, ata thjeshtë kishin ndërruar rolet.
Babain e kam parë vetëm një herë në lot deri në ngashëri në raport me politikën, 26 qershorin e 2013 kur dr Berisha dha dorëheqjen pasi kishte humbur zgjedhjet.
Në 2009, ditën e firmës së koalicionit me LSI, babai më tha “djalosh, Saliu im e yti, ra sot…”. Kur do votonte në 2013, pyetjes time pse shkon të votojë kur ai e nuhati prej 2009 kur PD do humbas, i dha një përgjigje të tillë “djalosh, kjo është hera e fundit që votojmë për Salinë. Ai do humbasë dhe do iki kështuqë do vete të votoj se është e fundit për të…”.
Por, politika është cikël. Ajo ka një moment start dhe një moment finish. Është si karriera futbollistike që vjen një moment që duhet ta lësh para se ajo të të dorëzojë pa kushte. Më të rinjt e ekipit duhet të jenë në formacion sepse kështu është krijuar raporti njerëzor prej se ekziston njerëzimi.
A e kuptoi doktori kur duhet ta linte formacionin ? Mendoj që jo.
Duke dhënë dorëheqjen nga kryetar por duke mos u larguar nga politika dhe duke influencuar tej mase tek pasardhësi i tij në PD, doktori kurrë nuk e bindi dot shqiptarin normal as në PD e jashtë saj që ai ishte larguar vërtetë dhe kjo ju kthye në kosto të madhe atij edhe PD, sigurisht edhe Bashës që e akuzonin për mungesë autoriteti në vendimmarrje. Arritëm në ditën që asnjë demorkat nuk e donte. Jo dokushdo po SHBA, bash Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli doktorin non grata dhe kjo për ne edhe politikisht edhe emocionalisht, ishte bombë.
Si duhej vepruar ? mes emocionit dhe strategjisë politike, duhet zgjedhur e dyta, për të mirën e partisë. Aty Basha kishte dy alternativa. Ose mendonte për doktorin duke e vendosur PD në mbrojtje të tij, ose mendonte për PD. Situata ku u ndodh nuk u krijua as prej PD as prej Bashës por ndërkohë rrezikonte që nëse nuk i përgjigjej me një vendim shumë të fortë, të dhimbshëm por të pashmangshëm, PD të kthehej në një relike anti-amerikane dhe anti-perëndimore që nuk do shërbente për asgjë veçse një fazade për regjimin e Edi Ramës i cili nuk do asgjë më shumë sesa një PD në konflikt me SHBA.
Një PD në përplasje me SHBA-të është e papranueshme dhe e pamendueshme se mund të vijë në pushtet. Kush thotë të kundërtën, fibrën politike e ka zero dhe unë ndjej vetëm keqardhje. Izolimi ndërkombëtar i PD do ishte fatal për të dhe kush mendon se PD mund tja dalë të kundërshtojë edhe PPE, edhe DASH, nuk ka kuptuar kurrë gjë nga politika por thjeshtë ka konsumuar tagjinë që ajo ka servirur.
PD pa miqt ndërkombëtar është e vdekur dhe Shqipërisë i duhet një PD Perëndimore jo një PD në perëndim. Po sikur kjo të na afrojë zgjedhjet lokale ? Po sikur kjo të na afrojë me amerikanët, pa të cilët, edhe në rast fitoresh nuk legjitimohemi? Po sikur ky vendim të afrojë në PD një elektorat gri i cili deri sot ka qenë i distancuar prej saj ?
Prania e doktorit në kuvend në grupin e PD do ishte bonusi më i madh që mund të merrte Edi Rama në këtë moment sepse qeverisja e tij e kalbur në krim dhe korrupsion nuk do jepte llogari për asgjë por do kthente doktorin në target sulmi, këtë herë lehtësisht të goditshëm edhe me ndihmën e SHBA.
Ajo që doktori duhej të bënte në këtë rast, dhe që do ishte më fisnikja e më e drejta në raport me PD dhe demokratët të cilët e kanë mbështetur pa kushte për 30 vjet, do ishte një distancim i tij vetë, pa qenë nevoja ta detyronte partinë të binte në këtë situatë ku i jep një kosto të madhe asaj, deri në momentin që gjykata franceze të vendos për betejën e tij ligjore.
Idealja do ishte që doktori të ishte larguar si legjendë, ashtu siç ndër ne është thirrur shpesh këto vite, duke ikur me nder dhe me dinjitet të pacënuar.
Kjo nuk ishte një ditë e mirë për PD por ishte e vetmja zgjidhje e mirë për të gjithë. Disa vendime sado të dhimbshme të jenë, ato duhen marrë. Fundja lideri i partisë është votuar edhe për këtë.
E ngado që ta rrotullosh, kjo ishte zgjedhja më e mirë për Partinë dhe Shqipërinë.  Një PD e copëtuar thjeshtë i shton pushtetin Edi Ramës dhe kjo do të ishte një ditë e zezë për Shqipërinë.