Dokle: Letërsia duhet të rrëfejë të shkuarën, gazetaria duhet të ketë idhull të vërtetën

schedule23:18 - 29 Dhjetor, 2021

schedule 23:18 - 29 Dhjetor, 2021

Ish kryeparlamentari Namik Dokle, në kujtimet e tij si ish gazetar, por edhe tashmë  si romancier është shprehur shumë kritik për nivelin që shfaq gazetaria.

“Politika është edhe hileqare, ndërkohë që publicistika nuk duhet të jetë kurrë. Gazetaria duhet të jetë e lidhur me të vërtetën. Nëse gazetaria nuk arrin të nxjerrë të vërtetën do të thotë se nuk po kryen misionin e vet. Unë e ndjej mungesën e analizës sot në publicistikë”, u shpreh Dokle i ftuar në “Refleksione” në ABC.

Sipas tij, më shumë se sa realitet jepet imazh dhe spektakël, që nuk ka të bëjë me realitetin.

“Shoh që ka këmbëngulje për të krijuar vetëm një imazh pozitiv, siç e duan disa, pavarësisht se e vërteta është ndryshe. Dhe populli nuk e kupton se ku fshihet lepuri i një veprimi politik, ekonomik apo shëndetësor. Pra, lufta për të krijuar një imazh bën të dallohet ndikimi i politikës mbi publicistikën dhe e bën publicistikën jo të vërtetë. Ky është një element që është pasojë edhe e kohës së diktaturës, ku gazetarët ishin të detyruar të shkruanin ato gjëra të cilat urdhëroheshin nga ideologët e kohës. Por idhulli, bazamenti, dhe shpirti i publicistikës duhet të jetë e vërteta dhe vetëm e vërteta”, tha Dokle.

Ndërkaq i futur edhe nën stofin e shkrimtarit, Dokle beson se zbardhja e së shkuarës është një detyrim i madh për këdo që mund ta risjellë përmes të shkruarit atë që ka kaluar shoqëria shqiptare.

 “Ndonjëherë, si njeri dhe si shkrimtar,  më vjen turp për atë që nuk kam mundur të them në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur. Por, ama, kjo heshtje në të shkuarën, nuk duhet të kthehet në pengesë për atë që duhet thënë. Dhe letërsia në këto vite ka nisur ta thotë me zërin e saj atë që duhet thënë për atë kohë. E shoh që ka plot emra shkrimtarësh që realisht po pasqyrojnë kohën e diktaturës. Dhe unë besoj se letërsia duhet të japë kontribut për të nohur jetën në kohën e diktaturës, por edhe sot, dhe se si ndryshon kjo jetë, në diktaturë dhe në liri. Unë mendoj që akoma letërsia duhet të thellohet në trajtimin e temave që vijnë nga diktatura. Disa emra që vijnë dhe nga ajo kohë, si Zija Çela, Nasi Lera, Besnik Mustafaj, Ylljet Aliçka, e shumë të tjerë të asaj kohe apo më të rinj, i trajtojnë këto tema me një ndjeshmëri dhe me ndershëmri shumë më të qartë se sa shkruhej më parë letërsia”, tha Dokle.

Duke folur edhe për librin e tij të fundit, “Kolerë në kohë të dashurisë”, Dokle rrëfen se e ka shkruar në kushtim ndaj poetëve të vrarë në kohën e diktaturës, por edhe atyre të vrarë shpirtërisht.

“Trifon Xhagjika, Genc Leka, Vilson Blloshmi janë pushkatuar, ndërkohë që Havzi Nela është varur në Kukës në vitin 1988. Në këtë konteskt do thoja se është një peng i gjithkujt, por është një peng më së shumti i shkrimtarëve që në atë kohë nuk mundën të shkruanin dhe kjo gjë nuk duhet t’i pengojë dhe që të na pengojë të paktën sot”,tha Dokle në “Refleksione” në ABC, duke i bërë thirrje shkrimtarëve dhe gazetarëve të kontribuojnë që të shmanget gjuha e urrejtjes dhe që të mos lejojnë që ata që përdorin urrejtje dhe fyerje në ligjërimet e tyre të mos kenë hapësirë publike.

“E shkuara duhet të na shërbejë për të lexuar më mirë të ardhmen, por edhe që të na ndihmojë që të shmangim gjuhën e urrejtjes”, tha Dokle. /Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!