Suso u largua nga Milani dhe mezi po pret të nisë aventurën e re me Sevilla. Anësori i djathtë ofensiv u huazua tek ekipi andaluzian, që ka të drejtën e blerjes së tij në fund të sezonit, opsion që mund të kthehet në detyrim blerje nëse plotësohen disa kluzola.
Spanjolli ka thënë fjalët e para si lojtar i Sevilla dhe nuk i kursen “thumbat” për kuqezinjtë. Suso është i lumtur që do të punojë sërish me Julen Lopetegui, teksa deklaron se stadiumi i Sevilla është më i bukuri, edhe pse ka provuar emocionet e aktivizimit në dy tempuj si “Anfield” dhe “San Siro”.
“Milani dhe Sevilla e dinin që qëllimi im ishte të vija këtu, kjo ishte dëshira që kisha. Kam kaluar javë të vështira dhe më është dashur të luftoj kundër të gjithëve, por rëndësi ka që erdha te Sevilla.
E doja këtë transferim prej shumë kohësh. E provuam edhe sezonin e kaluar, por nuk u arrit. Kam luajtur me Almerian në ‘Sanchez Pizjuan’ dhe mund të them që ka qenë stadiumi më i bukur ku kam luajtur ndonjëherë.
Lopetegui? Ai më njeh mirë. Më duhet të përmirësohem në shumë aspekte dhe trajneri do të më ndihmojë. Kam luajtur te moshat e Spanjës me të si trajner, përveç debutimit në kombëtaren e madhe. Jam shumë i lumtur që do punoj sërish me të“, përfundon Suso. /abcnews.al