Kjo është droga e sekuestruar në Skrapar, për të cilën Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar 23 urdhër arreste. Urdhër arrestet vijnë pas një operacioni që është duke u zhvilluar në Skrapar për kultivim të lëndëve narkotike.
SPAK, në një komunikatë zyrtare bëri me dije se janë evidentuar 28 episode të kultivimit të kanabisit dhe janë sekuestruar në total 5045 bimë narkotike 176 kg e paketuar. Kjo sasi lënde narkotike është paralajmëruar më herët nga gazetari Artan Hoxha, i cili dispononte edhe pamjet.
Në dhjetor, në studion e ABC gazetari paralajmëroi se në janar do të ketë zhvillime të reja lidhur me hetimin e personave të përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike në vendin tonë dhe për përfshirjen e efektivëve të policisë.
“Gjetja e hangarëve unë kam sjellë pamje këtu ku dukeshin panele diellore, një fshatar nuk e blen një gjë të tillë, sivjet ndryshe nga 2016 ka pas shumë hetime brenda radhëve të policisë, kemi parë se janë vënë nën hetim policë në Korçë dhe ne Vlorë shumë shpejt do të kemi në Berat, Skrapar dhe në Krujë.
Janë bërë përgjime etj, janë provuar se ku janë parcela të mëdha me kanabis nuk bëhet pa bashkëpunim në radhët e policisë dhe policia e ka provuar një gjë të tillë. Fundi i dhjetorit dhe në janar do të kemi zhvillime në këtë fushë”, ka deklaruar Hoxha më 18 dhjetor.
Lexo edhe: Hoxha: Lufta ndaj kanabisit nuk është problem policor, në dhjetor dhe janar zhvillime të reja
Ndërkohë, në njoftim e SPAK thuhet thuhet se në aktivitet kriminal janë të përfshirë policë dhe funksionarë publikë, nga shefi i Policisë Poliçan Neritan Naska, tek administratori i Njësisë Administrative Tërpan Edmond Zotko apo kryeplaku i Çorrogjafit Fatos Lamaj.
Për shefin e Poliçanit GJKKO ka dhënë masën “arrest në shtëpi”. Gjithashtu, masa e sigurisë në mungesë është dhënë edhe për 22 të tjerët. Sipas, SPAK janë administruar prova nga të cilat ka rezultuar se një grup personash, të cilët vepronin në zonën e Skraparit, kanë kryer veprat penale të “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, kryer në formën e posaçme, atë të “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”. /abcnews.al