“Do të ishte fatale!” Nesër rishikohen masat anti-covid, çfarë pritet të ndryshojë Komiteti Teknik

schedule22:16 - 26 Maj, 2021

schedule 22:16 - 26 Maj, 2021

Nga nesër pritet që të lehtësohen masat anti-covid të ndërmarra në Shqipëri. Pikërisht ditën e nesërme Komiteti Teknik do të mblidhet për të rishqyrtuar këto masa që aktualisht janë në fuqi si një armë për mbrojtjen nga Covid-19.

Mbledhja e Komitetit Teknik vjen në një kohë kur shifrat e rasteve të reja në vendin tonë kanë pësuar një rënie të ndjeshme.

Prej disa javësh vendi ynë po i kthehen gradualisht jetës normale, pasi infeksionet nga Covid-19 po shkojnë drejt zeros. Ndërkohë në 24 orët e fundit nuk u shënua asnjë viktimë ndërsa u infektuan 15 persona në të gjithë vendin.

Por cilat janë rregullat që pritet që të ndryshojnë ditën e nesërme?

E ftuar në emisionin “Log.” në ABC, Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik prof Silva Bino, u shpreh se për të mbajtja e maskave në ambiente të hapura nuk është më e nevojshme. Pikërisht ky është një rregull që pritet të hiqet nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Ndërkohë ora policore pritet që të shkurtohet, pra qytetarëve pritet që tu mundësohet një lëvizje më e gjerë. Aktualisht ora policore vijon të izolojë qytetarët nga ora 22:00 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit, një vendim i marrë në 11 Prill.

Nga ana tjetër pritet që të mbete në fuqi, kufizimet e ruajtjes së distancës dhe mbajtjes së maskave në ambiente të mbyllura. Po ashtu një masë tjetër që pritet të mos ndryshohet është edhe ndalimi i grumbullimeve masive të njerëzve.

Ndërkohë mbrëmjen e sotme Shefi i urgjencës Skënder Brataj tha në “Open” se është ende herët për të hequr të gjitha masat kundër pandemisë. Ai tha se pandemia nuk ka mbaruar akoma, prandaj duhet bërë kujdes.

Brataj: Situata është pozitive , do ketë lirim masash besoj, por jo që të do hiqen të gjitha se do ishte fatale. Unë do filloja me maskën jashtë që ta heqim, sidomos nga temperaturat . Për të hequr orën policore s’jam dakord ta hiqet, se e kemi parë çka ndodh më parë.

Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama është shprehur sot se jemi në një situatë optimale në raport me strategjinë dhe planin e veprimit por është shumë e rëndësishme të mos harrojmë që nuk kemi parashikueshmëri të plotë me rrugën drejt daljes nga ky tunel dhe duhet të jemi të kujdesshëm.

Rama mes të tjerash paralajmëroi se nesër komiteti do të dalë me planin e ri për lehtësim të mëtejshëm të masave.

“Ambicia jonë për një sezon turistik të lehtësuar do të përmbushet”, tha sot Rama.

Një deklaratë të ngjashme dha dje edhe ministrja Manastriliu, e cila teksa komunikoi mbylljen e pavioneve Covid në spitalet rajonale, u shpreh se këto dy ditë do rivlerësohen masat. Së shpejti Shqipëria pritet të çelë së shpejti sezonin turistik, ku do të synohet tejkalimi i situatës së vështirë të vitit të shkuar që u shkaktua nga Covid-19.

Megjithatë lehtësimi i masave nuk është konfirmuar ende zyrtarisht. Për këtë fjalën e fundit do ta japë Komiteti Teknik i Ekspertëve në mbledhjen e nesërme. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!