“Do të hedh nga Kulla”, si dhe kur nisi plani i kontrollorëve për grevë, mesazhe të reja: Lavazh…

schedule21:01 - 9 Prill, 2021

schedule 21:01 - 9 Prill, 2021

Nga Ermal Vija

Prokuroria e Tiranës ka dorëzuar dosjen në gjykatë për 3 kontrollorët e kompanisë AlbControll të arrestuar dy ditë më parë pasi pezulluan fluturimet në aeroportin e Rinasit. Dy prokuroret Marjeta Zaimi dhe Ledina Riza do i kërkojnë gjykatës që Muhin Mezini dhe Armando Fezga të qëndrojnë në burg, ndërsa për Flora Ndrecaj kanë kërkuar masën e arrestit shtëpiak.

Në dosjen e siguruar nga ABC, prokuroria pas sekuestrimit të telefonave celularë të tre kontrollorëve ka zbuluar edhe skemën për pezullimin e punës në kullën e komandimit të aeroportit. Përgatitja e planit ka nisur në datën 1 prill duke u finalizuar pesë ditë më vonë, në datë 6. Kjo provohet nga komunikimet në telefon përmes aplikacionit Whatsapp mes kontrollorëve.

Në bisedat e zbardhura nga hetuesit rezulton se Flora Ndreca i shkruan një personi me emrin “Mimi” dhe i kërkon që të hënën të nisin përgatitjet për protestën. Nga bisedat rezulton se mes punonjësve të AlbControll, ka pasur edhe përplasje për plotësimin e formularit mbi paaftësinë në punë.

Pjesë nga bisedat mes kontrollorëve

Taulant Qirjako: Lola fol njëherë me Mandin që të flasë me Kujtimin

Flora Ndreca: Kujtimi desh më hodhi nga shkallët, më shtyu, nuk flitet me të.

Një ditë më pas në datën 7 kur ndodhi edhe pezullimi i fluturimeve është përftuar një tjetër bisede mes Flora Ndrecës dhe kontrollores Jona Kotonit. “I bëmë lavazh Kujtos, nuk donte nga frika, por e bindëm, se më mori mbrëmë Sabina dhe më tha”.

Po kështu debatet mes kontrollorëve janë konfirmuar edhe nga Kujtim Malko që ka treguar përplasjen me Flora Ndrecën pasi nuk pranonte të plotësonte formularin për paaftësi në punë. “Unë i kam thënë se nuk do ta plotësoj. Në atë moment më ka thënë përse nuk e plotëson dhe unë i jam përgjigjur se kjo është puna ime.

Debati rreth plotësimit të deklaratës ka vazhduar për disa minuta, dhe për shkak të natyrës së punës, që nuk lejohet debat në vendin e punës, i kam kërkuar që të largohet nga Kulla. Në këtë moment, i jam përgjigjur zbrit nga kulla, se për ndryshe do të hedh” tha Kujtim Malko. Avokati i të arrestuarve ripërëriti qëndrimin se ndalimi i tyre është i paligjshëm./ db/ Abcnews.al