U shkelën afatet, drejtori i ARRSH shpjegon pse u vonuan punimet te Unaza e Re: Ja kur përfundon

schedule19:38 - 10 Mars, 2021

schedule 19:38 - 10 Mars, 2021

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho deklaroi se puna për ndërtimin e unazës së Re do të përfundojë në tremujorin e fundit të këtij viti.  “Shpresoj që tremujorin e fundit të këtij viti do të jetë gati. Duke parë edhe ritmet në të cilat ecim. Ne jemi çdo dy ditë në vepër për të parë ecurinë e saj dhe shohim shumë ndryshim”, tha Verdho.

Gjatë një interviste me gazetaren Jonida Shehu në “Radarin Informativ” në ABC, Verdho shpjegoi se si do të bëhet hapja graduale çdo 10 ditë për sjellë lehtësim të trafikut duke hapur fillimisht dy nënkalimet e para. “Nesër pas orës policore fillon puna për bërjen funksionale të planit të menaxhimit të trafikut. Jemi të fokusuar në zonën e Astirit. Ne sot kemi një futje për në Tiranë nga Durrësi. Semafori afër urës së Lanës devijon për në fushën e helikopterëve. Kjo skemë për 10 ditë nuk lëviz. Ajo që lëviz nesër është skema te Astiri.

Kemi zhvendosur aksin kryesor në rreth-rrotullimin e tanishëm të Astirit. Ata që duan të shkojnë drejt Pallatit me Shigjeta do të devijojnë majtas në Astir. Ky plan pune i hap rrugë punimeve në lotin 2 dhe 3. Dinamika që ofron ndërtimi i kësaj vepre kërkon që herë pas here të ndryshojmë planin. Pas 10 ditësh dalja nga Tirana në drejt të Durrësit do të zhvendoset nga kahu i Tiranës që del dhe rregullohet në një rreth-rrotullim.

Pas 10 ditësh ne do kemi fluksin që vjen nga Durrësi nga rreth-rrotullimi drejt rrugës Dritan Hoxha që deri tani nuk e kemi pasur në përdorim. Pas 10 ditësh të tjera, nënkalimet do të jenë funksionale me asfalt dhe sinjalistikën e nevojshme dhe ndriçim. Kjo lëvizje për t’i hapur shteg ndërtimit të nënkalimit numër 5. Ai në projekt e ka që vjen nga Durrësi në drejt të Astirit”, tha Verdho.

Ai deklaroi se vonesa e përfundimit të ndërtimeve në Unazën e Re erdhi për shkak të ndryshimit të projektit për dy lotet e para dhe atë të urës së Lanës, edhe si pasojë e planit të bashkisë për rehabilitimin e tij. “Me futjen e nënkalimit 3 në përdorim aksesi në Tiranë do të jetë shumë fluid dhe dalja nga Tirana do të jetë më e përmirësuar. Sheshi Shqiponja ka ardhur si bashkëpunim me bashkinë e Tiranës. Çdo gjë që bëhet në trafik do të jetë nëntokë. Kjo solli një reaksion domino për dy lotët e para ku u ndryshuan projektet. Loti 2 ka qenë unaza sipër.

Kemi futur unazën poshtë. U bë dhe një ndryshim tjetër në projektin e urës së Lanës për shkak të projektit të ri që ka bashkia e Tiranës për lumin e Lanës. Sot kemi dy kahet e reja të urës gati në mbarim. Ne do fusim trafikun në këto dy kahe të reja”, deklaroi Verdho.

Punimet për Unazën e Re nisën në muajin Tetor të vitit të shkuar. Gjatë një inspektimi, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku bashkë me drejtorin e Policisë së Tiranës Rebani Jaupaj, deklaroi se punimet do të zgjasnin jo më shumë se katër muaj./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!