Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka reaguar lidhur me deklaratën e Lulzim Bashës këtë të diel se do t’i propozonte Partisë Demokratike djegien e mandateve parlamentare.
Në një postim në rrjetet sociale ajo shprehet se ky vendim ka një gjë të mirë dhe ky është fakti që opozita nuk do të marrë më rrogat për të ndotur Kuvendin me baltë dhe bojë.
“Lulzim Basha tha se do digjte qeverinë dhe paska vendosur të djegë opozitën! Sinqerisht nuk do ta dëshironim kurrsesi degradimin e tyre konstant, po në këto kushte, duhet pohuar kjo e keqe e ka një të mirë: Nuk do t’i marrin më rrogat për ta ndotur Parlamentin me baltë e bojë”, thotë Spiropali.
Lulzim Basha deklaroi për mediat këtë të dielë se do t’i propozojë grupi parlamentar të PD-së djegien e mandateve.
“Unë jam sot këtu per t’ju thënë me përgjegjësi të plotë se e kam lexuar vullnetin tuaj. Ndaj, kam vendosur t’i propozoj grupit parlamentar dhe forumeve më të larta vendimmarrëse të PD-së djegien e mandateve parlamentare, në mbështetje të qëllimit dhe aspiratës që ju dje dëshmuat se është mbarëkombëtare, europiane dhe e pandalshme”, u shpreh kryedemokrati.