Djali i ish-efektivit i bëri atentat, drejtori i policisë: Nuk e njoh! Hetuesi: Do ta kapim kriminelin

schedule21:03 - 12 Tetor, 2020

schedule 21:03 - 12 Tetor, 2020

Nuk e njoh”. Drejtori i Policisë bashkiake të Malësisë së Madhe Mentor Hasanaj, që u plagos dje së bashku me të atin në atentat ka mohuar njohjen me 19-vjeçarin që e qëlloi, i cili është ende në kërkim.

Përpara hetuesit që e mori në pyetje, pasi doli nga reanimacioni te spitali i Traumës në Tiranë, Abcnews.al mëson se Hasanaj u shpreh se “nuk e njoh Ilirjan Hasanajn”. Gjithashtu familjarët, i thanë Abcnews.al se “Ne jemi gjashtë vëllezër dhe asnjë nuk e njeh autorin”. Ndërkohë, po sipas familjarëve, hetuesi, i tha Hasanajt se “Jemi në rrugë të mbarë për të kapur kriminelin”.

Ndonëse ka të njëjtin mbiemër me shënjestrën mësohet se ata nuk kanë lidhje farefisnore me njëri-tjetrin. Burime bëjnë me dije se autori është djali i Arben Hasanajt, ish-polici i Kufirit i cili prej tre vitesh është larguar nga vendi. Nuk dihet ende shkaku që e kanë shtyrë, të riun të qëllojë me armë drejt shefit të bluve.

Nga atentati mbetën të plagosur rëndë Mentor Hasanaj i cili u soll në Tiranë për një ndihmë më të specializuar mjekësore dhe babai i tij Xhelal Hasanaj ndërsa e shoqja e tij i shpëtoi plumbave. Ngjarja ndodhi rreth mesditës së djeshme, teksa të Hasanaj po drejtonte automjetin tip Skoda në pronësi të policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe.

Autori i cili i kishte ndjekur, priti derisa makina bëri një ndalesë gjatë rrugës për të qëlluar fillimisht nga pas ndërsa më pas u pozicionua anash në krahun e shoferit duke vazhduar të qëllojë me armë. Motori i tij u gjet gjatë orëve të pasdites i braktisur rreth 500 metra larg vendit ku ndodhi ngjarja./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!