Bes Kallaku festë të pazakontë, pezullohen 6 policë, gjobitet lokali, Meta dhe Kryemadhi

schedule13:42 - 22 Nëntor, 2020

schedule 13:42 - 22 Nëntor, 2020

Gjobitet Presidenti Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi. Gjashtë punonjës policie janë pezulluar dhe administratori i lokalit është gjobitur për ceremoninë që organizoi dy ditë më parë aktori i humorit Bes Kallaku me rastin e 35-vjetorit të lindjes.

Policia e Tiranës deklaron se pasi u sinjalizua për ditëlindjen që kishte organizuar aktori në një lokal në fshatin Laknas, bashkia Kamëz, mori masa në zbatim të Aktit Normativ anti-covid duke e gjobitur administratorin e lokalit me inicialet F.U me 1.000.000 lekë.

Në ceremoni, sipas policisë morën pjesë 30 persona, të cilët do të gjobiten, pasi janë identifikuar në bazë të pamjeve filmike.

Në ditëlindjen e aktorit të njohur ishin të pranishëm përpos familjes, miq, kolegë, por dhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta me Monika Kryemadhin, të cilët gjithashtu do të gjobiten për thyerje të masave anti-covid, pasi nuk lejohen grumbullimet në aktivitete të më shumë se 10 personave.

Me urdhër të drejtorit të policisë së Tiranës u pezulluan nga detyra 6 punonjës policie për moskryerje të kontrollit të territorit dhe ndaj tyre drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur ecurinë disiplinore për shkelje të rëndë.

Pamjet e festës bënë xhiron e medieve sociale. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për të gjithë administratorët e lokaleve dhe qytetarët që të respektojnë me korrektësi masat anticovid duke bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qytetarët që të denoncojnë në 112 e Komisariatin Dixhital cilindo administrator lokali apo qytetar që nuk i respekton këto masa kufizuese duke u kthyer në burim rreziku për shëndetin e qytetarëve./ db/Abcnews.al