Ditë zie në NBA, shuhet legjenda e “mallkuar” e Los Angeles Lakers

schedule12:57 - 23 Mars, 2021

schedule 12:57 - 23 Mars, 2021

Basketbolli amerikan mban zi për humbjen e legjendës Elgin Baylor. Ish-ylli I Los Angeles Lakers u shua në moshën 86-vjeçare, duke lënë pas një emër të madh që nuk e hoqi dot “mallkimin” për të fituar titullin kampion

Sot ata janë gati 75 për qind e totalit. Basketbollistët me ngjyrë përbëjnë shtyllën e NBA-së, veçse në vitet 50-të ishte krejt ndryshe, dhe një nga pionierët mbahet Elgin Baylor. Legjenda e Los Angeles Lakers, i cili debutoi në ligë në 1958, u shua sot në moshën 86-vjeçare dhe i gjithë komuniteti amerikan i koshit mban zi.

Lakers shprehën ngushëllimet e tyre me një postim në Instagram, ndërsa po ashtu kujtimin e yllit të dikurshëm e nderoi edhe faqja zyrtare e NBA-së, gjithashtu në Instagram. Një basketbollist spektakolar, që shënoi mbi 23 000 pikë në karrierë dhe kapi mbi 11 000 topa në tabela.

Ai e pati të vështirë për të tejkaluar paragjykimet raciale, sidomos kur ishte në moshë të vogël e në shkollë të mesme, ndërsa në SHBA ekzistonte segregacioni. Gjithsesi, ai u bë pjesë e NBA-së dhe shkëlqeu aty, ndonëse ekzistonte rregulli i pashkruar që asnjë ekip nuk do të kishte më shumë se 4 lojtarë me ngjyrë.

Elgin Baylor është ndoshta lojtari më i madh në historinë e basketbollit amerikan që nuk fitoi dot një titull kampion, ndonëse arriti 8 herë në finale në vitet 1958-1971. Për fat të keq, shtatë finale u humbën përballë Boston Celtic dhe njëra ndaj New York Knicks.

Baylpr luajti 11 herë në Ndeshjen e Yjeve dhe u zgjodh 10 herë në Skuadrën e Vitit, duke mbajtur shumë rekorde disa prej të cilëve rezistojnë edhe sot. Ndonëse nuk ishte shumë shtatlartë, vetëm 1.96 metra, ai dominoi në tabela, ndërsa ishte një lojtar me vizion të madh.

Më pas, për 22 vjet, ai ishte drejtues ekzekutiv i Los Angeles Clippers. Baylor do të mbahet mend si një nga yjet e basketbollit amerikan, ashtu si Bill Russell, Wilt Chamberlein apo Jerry West. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!