“Do një pesçe”! Takimet intensive para seancës mes gjyqtares, sekserit e avokatit, vëllai: Nënë e liruan (Përgjimet)

schedule13:19 - 10 Shtator, 2020

schedule 13:19 - 10 Shtator, 2020

Abcnews zbardh të tjera përgjime nga dosja e SPAK-ut ku është e përfshirë për korrupsion edhe gjyqtarja Mimoza Margjeka. Pas të gjitha negociatave mes avokatit dhe sekserëve, telefoni më pas ia lë vendin takimeve balla për ballë, teksa gjyqi ishte caktuar në datë 29 korrik. Takimet intensive zhvillohen një ditë para gjyqit. Pasditen e datës 28 korrik, avokati Skënder Demiraj takon Klaudjo Zhillën që është sekseri. Të dy bashkë shkojnë në hotel “Pazari” në katin e dytë, që sipas SPAK është në pronësi të Zhillës. Pak minuta më pas Zhilla lëviz me makinën e tij drejt qendrës së qytetit, ku takohet me Arben Carën, që është burri i gjyqtares Mimoza Margjeka. Pasi qëndrojnë disa minuta në një lokal, dalin dhe ecin drejt hotelit të Zhillës.

Klaudjo futet në hotel, ndërsa Cara qëndron jashtë. Në këtë moment, Klaudjo Zhilla merr në telefon avokatin dhe i thotë se është me mikun, pra burrin e gjyqtares dhe e pret të vijë.  Të tre takohen në te një restorant në bodrum të hotel “Pazarit”. Në këtë moment avokatin e merr vëllai i trafikantit dhe e pyet nëse ka ndonjë gjë të mirë. Por Skënder Demiraj i thotë “ Mbylle telefonin se do të marr vetë”. Në orën 21:11 të tre, Klaudjo Zhilla, Arben Cara dhe avokati Skënder Demiraj dalin nga restoranti.

Pasi u shkëput nga burri i gjyqtares dhe sekseri, avokati telefonon vëllanë e trafikantit dhe i thotë se “Jo keq, por nuk është prerë”. Ditën e seancës, Zhilla takohet me burrin e gjyqtares në kafe, së cilës i bashkohet edhe vetë Mimoza Margjeka. Të tre çohen dhe shkojnë drejt hotel ‘Pazarit’. Gjyqtarja dhe burri ndahen nga Zhilla dhe largohen me makinë në drejtim të gjykatës së apelit Korcë. Pasi gjyqtarja futet në Apel, Arben Cara, avokati dhe sekseri Zhilla takohen sërish ku u ishin një natë më parë. Nuk qëndrojnë shumë dhe pasi dalin, burri i gjyqtares ikën me makinë drejt gjykatës, ndërsa Zhilla dhe avokati hyjnë në hotel “Pazari”.

Në 11:06 minuta, Arben Cara takohet me gruan gjyqtare, Mimoza Margjeka dhe pas 4 minutash ajo futet në gjykatë. Në krahun tjetër, kur numërimi mbrapsht për seancën vijonte, Nejton Bali flet me nënën dhe i thotë se ka arritur 99% në këtë formë. “6 mijë euro ua thashë atyre ta nxirrnin sot, 5 mln duhet lekë garanci pasurore, kur të mbarojë cështja i tërheqim mbrapsht”. Por ku do i gjejnë lekët për garancinë pasurore.

Djali i thotë nënës se “Do i paguajnë lekët miqtë e Skënderit (avokatit) dhe nesër duhet të cojmë paratë ose mund të vijnë ti marrin në Tiranë. Skënderi më tha se me 99% e kam mbaruar këtë punë. Më tha se nëse e hanë në llaf gjyqtarët do të kenë punë me atë, pasi i ka dhënë lekët që mbrëmë”. Por ku do i gjejnë lekët avokati? Në përgjime rezulton se ai ia kërkon Klaudjo Zhillës, i cili përgjigjet “Patjetër”.

Më pas Klaudjo Zhilla flet më të atin, Albertin, të cilit i thotë se “Skënderi do një pesçe”, ndërsa e pyet “se mos bën ndonjë karagjozllëk”. Por Albert Zhilla siguron djalin “Jepi pa merak”. Pak para seancës në apel, rreth orës 13:20 Arben Cara takohet me gruan e tij gjyqtare dhe një tjetër person pranë gjykatës, ndërsa më pas Margjeka futet brenda. Në momentin që nis seanca pas avokatit në gjykatë futet edhe burri i gjyqtares Margjeka. Pas disa minutash, burri i gjyqtares del dhe ulet në një lokal ku ishte edhe vëllai i trafikantit, Nejton Bali, por jo në një tavolinë. Në orën 15:11, avokati del nga seanca dhe takohet me vëllanë e Orionit, ndërsa ky i fundit, Nejtoni telefonon nënën dhe i jep lajmin “Orioni ka dalë”. Po ashtu, avokati telefonon edhe sekserin dhe i thotë “Mbaroi punë”. Ndërkohë që pagesën për garancinë pasurore për Orion Balin e pagoi Ervis Cani, pas ndërhyrjes së avokatit./db/abcnews.al