Ditë rinovimesh, “Samurai Blu” nënshkruan kontratën e re me “Baskët” e Real Sociedad

schedule17:20 - 12 Shkurt, 2024

schedule 17:20 - 12 Shkurt, 2024

U transferua për një “copë buke”, te “Baskët” e Real Sociedad, por tashmë vlera e kartonit të tij ka kapur shifrën e 60 milionë eurove. “Fantazisti” japonez, Takefusa Kubo është kthyer në një “yll” të vërtetë, te “Baskët” e Real Sociedad, me 22-vjeçarin, që tashmë është një titullar i zakonshëm në formacionin e “Bardhebluve” të La Liga.

Falë të tilla performancave, bordi i “Baskëve” ka vendosur ta shpërblejë “Samurain Blu”, vetëm pak ditë para sfidës së 1/8-ve, të UEFA Champions League, ndaj “gjigantëve” franezë, të Paris Saint-Germain, me një kontratë të re, duke rritur jo pak moralin e këtij të fundit, në prag të një përballjeje tejet delikate.

Kështu, 22-vjeçari japonez ka firmosur marrëveshjen e re, e cila tashmë do të skadojë në verën e vitit 2029, duke lumturuar jo pak tifozët e “Baskëve”, me “fantazistin” Kubo, që deri në këtë pikë të sezonit nuk mund të thuhet se ka shkëlqyer pak me fanellën e Real Sociedad, ku ka shënuar 6 gola e ka asistuar 4 të tjerë, në 27 përballjet e zhvilluara, në La Liga, Copa del Rey e UEFA Champions League. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!