Dita vendimtare për Mbretërinë e Bashkuar

schedule14:44 - 19 Tetor, 2019

schedule 14:44 - 19 Tetor, 2019

Mediat britanike raportojnë se dhe nëse nuk do të ketë shtyrje të votimit për marrëveshjen e arritur për Brexit, në parlamentin britanik, sërish ajo nuk do të miratohej. Marrëveshjes i duhen të paktën 320 vota për t’u miratuar në Parlament.

Një e shtunë e rëndësishme kjo për Brexit. Parlamenti britanik pritet të vendosë për marrëveshjen e re të arritur dy ditë më parë mes Mbretërisë se Bashkuar dhe Bashkimit Europian. Sipas mediave britanike, për shkak të debateve në parlament, nuk do të ishte çudi nëse do të shtyhej votimi.

Kjo është hera e parë që nga viti 1982, që parlamenti britanik mblidhet të shtunën. Debatet e para kishin të bënim me amendamentet e prezantuara një ditë më parë nga ish deputeti konservator Oliver Letuin. Nëse ato miratohen, votimi për marrëveshjen për Brexit do të shtyhej pasi parlamenti të ketë miratuar legjislaturën e duhur për implementimin. Një shtyrje vote që do të detyronte kryeministrin Johnson që të negociojë një shtyrje të re me Bashkimin Europian.

Amendamentet e Letuin i japin zë mosbesimit dhe dyshimeve të një pjese të madhe të deputetëve. Frika është se në rast të një marrëveshjeje, krahu më i ashpër i konservatorëve pro Brexit, të fundosë miratimin e impiantit legjislativ të domosdoshëm Brenda pak ditëve që ndajnë vendin nga 31 tetori; kjo për të shkaktuar një dalje pa marrëveshje

Në fjalën e tij të hapjes në parlament, Johnson  u shpreh se një shtyrje do të ishte e pamenduar, e kushtueshme dhe do të dëmtonte besimin publik. Kryeministri theksoi se një shtyrje tjetër pas tri vitesh e gjysmë nuk do të kishte kuptim në momentin që në tryezë ndodhet një marrëveshje e madhe që mund të miratohet.

Lideri laburist Jeremy Corbin theksoi se nuk do të votojë pro marrëveshjes pasi nuk ka besim tek qeveria aktuale, sipas tij marrëveshja e arritur nga Johnson do të ishte e dëmshme për ekonominë e vendit, për të drejtat e punëtorëve dhe ambientin.

Marrëveshjes i duhen të paktën 320 vota që të miratohet por rezultati i votimit mbetet ende i paparashikueshëm. E vetmja siguri është se kryeministri nuk mund të mbështetet te partia unioniste e Irlandës së veriut, sipas së cilës marrëveshja e re parashikon një ndryshim të papranueshëm në trajtim mes Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut.

Por dhe partia kombëtare skoceze është shprehur kundër kësaj marrëveshjeje. Johnson ka nga ana e tij krahun e ashpër të konservatorëve dhe sipas mediave britanike, dhe rreth 30 deputetë ish konservatorë dhe laburistë./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!