Dita e Punëtorëve, Ruçi tregon “pengun”: Nuk kemi ende pensione dhe kushte siç i duam

schedule08:58 - 1 Maj, 2021

schedule 08:58 - 1 Maj, 2021

Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi përmes një mesazhi në ditën ndërkombëtare të Punëtorëve ka deklaruar se lehtësimi i jetës dhe përmirësimi i mirëqenies nëpërmjet uljes së taksave, rritjes  ekonomike, hapjes së vendeve të punës, rritjes së pagave e pensioneve, mbetet prioriteti i qeverisë. Ruçi shprehet se rritja e pagës minimale në 40 mijë lekë, rritja  e pensioneve dhe dyfishimi i bonusit për pensionistët nuk janë privilegje, por plotësimi i detyrimeve.

“Sot është 1 Maji, dita  të nderojmë njerëzit më të mrekullueshëm, punëtorët. Sot Ju drejtohem me respekt ju, punëtoreve e punëtorëve, që me djersën dhe punën tuaj siguroni mirëqenien e familjeve, rrisni e edukoni fëmijët dhe kontribuoni në zhvillimin e Shqipërisë. Ju përulem ju, grave e burrave të Shqipërisë,  që punoni në kantieret e ndërtimit, fasoneritë, fabrikat, spitalet, serrat, arat, bizneset e vogla dhe kudo ku punohet, ndërtohet, prodhohet e shërbehet.

Nderoj ju, pensioniste e pensionistë të dashur, që keni ndërtuar Shqipërinë, dhe nuk e fsheh pengun që ne nuk kemi mundur ende që respektin që ushqejmë për ju tjua kthejmë me pensione, kushte e shërbime sa më të mira, siç dëshirojmë ne dhe ju. Sot jemi të gjithë punëtorë. Sot rikujtojmë se vlerat e punës janë mbi gjithshka. Puna është motori që shtyn përpara ekonominë, rrit mirëqënien e familjeve, lufton varfërinë dhe krijon mundësi e shanse për brezin e ri. Energjia, talenti, shpirti krijues dhe vendosmeria kanë ndërtuar themelet e mirëqenies, lirisë dhe arritjes së lumturisë për brezat e shqiptarëve.

Punëtorët janë patriotët, qytetarët e prindët më  të mirë. Asgjë nuk e forcon Shqipërinë më shumë sesa puna, asgjë nuk i edukon më mirë fëmijët sesa dashuria për punën. Shqipëria progreson vetëm nga puna dhe njerëzit e punës. Asgjë nuk e nderon më shumë Kuvendin dhe Qeverinë e Shqipërisë sesa kujdesi për njerëzit e thjeshtë dhe të punës. Prandaj, lehtësimi i jetës dhe përmirësimi i mirëqenies suaj nëpërmjet uljes së taksave, rritjes  ekonomike, hapjes së vendeve të punës, rritjes së pagave e pensioneve, mbetet prioriteti ynë.

Ne respektojmë ata që krijojnë punë dhe hapin vende pune. Por u japim më shumë respekt atyre që punojnë dhe ndërtojnë përditë ekonominë e Shqipërisë. Mendja jonë si ligjvënës e qeverisës është te puna, zemra jonë është te njerëzit e punës. Çdo punë ka dinjitet, çdo punëtor është vlerë për shoqërinë.

Pagat dhe kushtet e punës duhet të ndihmojnë mirëqenien dhe ushqejnë dinjitetin e familjeve punëtore. Rritja e pagës minimale në 40 mijë lekë, rritja  e pensioneve dhe dyfishimi i bonusit për pensionistët nuk janë privilegje, por plotësimi i detyrimeve ndaj tyre. Dinjiteti i pagave dhe kushteve të punës dëfton integritetin e shoqërisë. Zerimi i taksave për pagat e ulta, ulja e taksave për pagat e tjera si edhe zerimi i tatim-fitimit dhe tvsh për biznesin e vogël për nje periudhë 10-vjeçare janë masa për të mbështetur njerëzit punëtorë të këtij vendi.

Ju treguat një shpirt të lartë qëndrese në përballimin e pasojave të pandemisë, të cilët rënduan në mënyrë të veçantë te ju dhe fëmijët tuaj. Kuvendi dhe Qeveria do të bëjnë më të mirën që dalja nga pandemia e të lehtësohet e përshpejtohet dhe ju të gëzoni në familjet tuaja.”, shkruan Gramoz Ruçi./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!