Kremlini nuk pranon të konfirmojë nëse parada e Ditës së Fitores në Rusi më 9 maj do të zhvillohet të hënën në qytetin ukrainas të Mariupolit, pasi një festë e gjerë e Ditës së Fitores është e pamundur të zhvillohet për shkak të luftës.
“Nuk mund të them në emër të ushtrisë nëse ka ndonjë plan,” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov për CNN në një konferencë me gazetarët, kur u pyet nëse do të zhvillohet Paradë Fitoreje në Mariupol.
Lexo edhe: Zelensky i bën thirrje kancelarit gjeman të vizitojë Kievin në “Ditën e Fitores” të Rusisë
Nënkryetari i parë i administratës presidenciale të Rusisë, Sergei Kiriyenko, u shpreh më herët se parada e Ditës së Fitores këtë vit në Donetsk dhe Luhansk nuk mund të mbahet ende, por koha për këtë do të vijë së shpejti, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve RIA Novosti.
Disa në Ukrainë dhe në Perëndim mendojnë se Presidenti Putin do të kërkojë avancime të shpejta përpara festës së 9 majit, në përpjekje për t’i paraqitur si një fitore vendimtare dhe për ta përdorur këtë si një mënyrë daljeje nga një situatë shkatërrimtare që po i shëmbëllen një moçali që po thith çdo ditë burimet e Rusisë dhe që po rrezikon stabilitetin e saj.
Lexo edhe: Përse Dita e Fitores në Rusi është e ndryshme këtë vit
Pas një përpjekjeje të dështuar për të marrë Kievin dhe qytetet e tjera të mëdha në veriun e Ukrainës gjatë fazës së parë të luftës, Kremlini e ka zhvendosur vëmendjen drejt zemrës industriale në lindje të vendit, të njohur me emrin Donbas, ku rebelët e mbështetur nga Moska kanë luftuar me forcat qeveritare që në vitin 2014. Konflikti filloi disa javë pasi Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë.
Ushtria ruse ka riarmatosur dhe rifurnizuar forcat e saj të tërhequra nga Kievi dhe i ka zhvendosur ato në Donbas në një përpjekje të dukshme për të rrethuar dhe shkatërruar forcat më të afta dhe më të sprovuara ukrainase të përqendruara atje.
Por ofensiva në lindje është përballur me mbrojtjen e vendosur ukrainase dhe ka bërë vetëm përparime të vogla, duke ia ulur shpresat Kremlinit për një fitore të shpejtë. Fitoret e rëndësishme duken të pamundura para 9 majit.
Në një intervistë këtë javë, zoti Lavrov tha se: “Ushtria jonë nuk do ta lidhë artificialisht veprimin e saj me asnjë datë, përfshirë Ditën e Fitores”.
/abcnews.al/