Dita e dytë e COP26, liderët botërorë zotohen t’i japin fund shpyllëzimit deri në vitin 2030

schedule13:05 - 2 Nëntor, 2021

schedule 13:05 - 2 Nëntor, 2021

Më shumë se 100 liderë botërorë, që përfaqësojnë vende me mbi 85 për qind të pyjeve të planetit, janë angazhuar që t’i japin fund shpyllëzimit deri në viti 2030. Në ditën e dytë të samitit të klimës COP26 në Glasgow, presidenti amerikan Joe Biden njoftoi planet për të ruajtur pyjet në botë.

“Sot po njoftoj një plan të ri për të ruajtur pyjet globale, që do të bëjnë bashkë një gamë të plotë të mjeteve të qeverisë amerikane, diplomatike, financiare dhe politikash për të ndalur shpyllëzimin, për të rivendosur rezervat kritike të karbonit dhe për të përmirësuar menaxhimin e tokës”, tha Biden.

Presidenti amerikan tha se ruajtja e pyjeve dhe e ekosistemeve të tjera kritike është e domosdoshme po ashtu si sigurimi i ujit të pastër,  ruajtja e biodiversitetit, mbështetja e komuniteteve rurale dhe indigjene dhe reduktimi i rrezikut të përhapjes së sëmundjeve.

“Pyjet kanë potencialin për të reduktuar karbonin në nivel global me më shumë se një të tretën. Me më shumë se një e treta. Pra, ne duhet t’i qasemi kësaj çështjeje me të njëjtin seriozitet si dekarbonizimi i ekonomive tona. Kjo është ajo që ne po bëjmë në Shtetet e Bashkuara”, tha Biden.

Kjo është marrëveshja e parë thelbësore e shpallur në samitin e klimës COP26 në Glasgow pas një fillimi të “zymtë”. Ndër vendet që marrin pjesë janë Kanadaja, Rusia, Brazili, Kolumbia, Indonezia dhe Republika Demokratike e Kongos, të cilat të gjitha kanë sipërfaqe të konsiderueshme pyjore. Shtetet e Bashkuara dhe Kina do të jenë gjithashtu palë në marrëveshje. /abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!