Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, festë në Maqedoninë e Veriut

schedule15:47 - 22 Nëntor, 2019

schedule 15:47 - 22 Nëntor, 2019

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev uroi të premten në ditën e alfabetit të gjuhës shqipe, të vendosur në Kongresin e Manastirit, duke publikuar një video urimi për shqiptarët që shënojnë 22 Nëntorin, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

“Së bashku rritemi, mësojmë, zhvillohemi, 111 vjet. Urime Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!”, thuhet në tekstin që shoqëron me video urimin e Zaev.

Ndërsa presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha në urimin e tij se 22 Nëntori është ditë e rëndësishme për popullin shqiptar, por edhe për gjithë Republikën e Maqedonisë së Veriut, meqë, në këtë datë të vitit 1908, intelektualët shqiptarë të Kongresit të Manastirit morën vendim për unifikimin e alfabetit shqip.

“Me këtë praktikisht u nxit ngritja politike, kulturore e arsimore e shqiptarëve. Duke e kremtuar këtë festë, ne si shoqëri bashkëkohore, multietnike dhe multikulturore i dëshmojmë angazhimet tona për ndërtim të një shoqërie për të gjithë, ashtu si edhe një të ardhme më të mirë e më të ndritshme për çdo qytetar tonin. Respektimi dhe vlerësimi i dallimeve ndërmjet vete janë ato që na afrojnë, bashkojnë dhe na bëjnë unikë në menaxhimin e sfidave”, tha Pendarovski.

Ndërsa deputeti i Bashkimit Demokratik për integrim, Artan Grubi, i cili është edhe propozues i ndryshimit dhe plotësimit të ligjit për çmime shtetërore që promovoi edhe një çmim shtetëror për festat kombëtare shqiptare të quajtur “22 nëntori”, theksoi se për herë të parë në Maqedoninë e Veriut, ndahet çmim shtetëror për një festë kombëtare siç është “22 nëntori”. Grubi tha se kombi nderohet me vepra duke theksuar që edhe Tirana dhe Prishtina ta shënojnë këtë datë siç e meriton, si vazhdimësi e Lidhjes së Prizrenit dhe lajmëtare e shpalljes së pavarësisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!