Dita decizive, Interi rrezikon të luajë pa tifozë në Europa League

schedule12:09 - 24 Shkurt, 2020

schedule 12:09 - 24 Shkurt, 2020

Alarmi i gripit Koronavirus vazhdon ende në Itali. Tashmë gripi që filloi në Kinë ka prekur dhe vendin tonë fqinjë, ku nuk kanë munguar dhe masat e marra nga Federata Italiane e Futbollit. Katër ndeshje të Seria A nuk u luajtën këtë fundjavë për shkak të frikës së gripit.

Ditën e enjte Inter duhet të zhvillojë ndeshjen e kthimit në Europa League kundër Ludogorets. Me shumë mundësi ndeshja do të zhvillohet me dyer të mbyllura, për shkak të Koronovirusit. Alarmi tashmë ka prekur dhe futbollin, pasi janë plot katër viktima në veriun e Italisë dhe mbi 200 të infektuar.

Vendimin për ta luajtur ndeshjen pa tifozë pritet ta japë vetë kryetari i Bashkisë së Milanos mbasditen e sotme. Nga ana tjetër klubi bullgar kërkon sqarim të detajuar, pasi janë rreth 600 tifozë që do të udhëtonin drejt Milanos për të ndjekur takimin. Interi e fitoi ndeshjen e parë me rezultatin 2-0 në Bullgari dhe të enjten pritet të bëjë detyrën dhe të kalojë në fazën tjetër të kompeticionit. /abcnews.al