Dita Botërore e Zemrës, Manastirliu: Koronarografitë falas, puna nuk u ndal as në epidemi

schedule17:23 - 29 Shtator, 2020

schedule 17:23 - 29 Shtator, 2020

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, në Ditën Botërore të Zemrës, ka qenë në qendrën e Hemodinamikës në QSUT, ku vlerësoi punën e madhe të stafeve mjekësore, e cila nuk është ndalur për asnjë ditë, edhe në këtë situatë epidemie.

Manastirliu në fjalën e saj ka bërë me dije se gjatë këtij viti mbi 8 mijë procedura në zemër janë kryer vetëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

“Qeveria shqiptare është e angazhuar, ashtu sikurse në parandalim edhe në trajtimin mirë të sëmundjeve kardiovaskulare, për të rritur vitet e shëndetshme, uljen e invaliditetin dhe fatalitetet nga këto sëmundje.

Edhe pse në situatë epidemie, puna nuk ka ndalur jo vetëm në këtë qendër e cila performon 7-8 herë më shumë krahasuar me vitin 2014, por edhe në qendrat e hapura në spitalet e tjera. Janë rreth 35 mijë koronarografi të kryera në këto 5 vite për qytetarët, përfshirë edhe urgjencat kardiake 24/7.

Sot askush nga qytetarët, nga veriu në jug, nuk pret dhe nuk referohet në sistemet jo-publike për të kryer një koronarografi të urgjencës gjatë natës. Sot qytetarët nuk duhet të presin më shumë se 14 ditë nëse duan të bëjnë një ekzaminim nëpërmjet koronarografisë. Për këtë ka vlejtur pikërisht investimi që kemi bërë në Tiranë, në qendrën e specializuar tek “Shefqet Ndroqi”, në Shkodër, dhe në spitalin rajonal të Fierit”, tha Manastirliu.

Gjithashtu ministrja është ndaluar edhe te situata e epidemisë, ku theksoi se pacientët e prekur nga COVID19, të cilët kanë nevojë për kryerjen e një koronarografie, shërbimi ofrohet në spitalin COVID2 “Shefqet Ndroqi”.

Kemi siguruar që me vendosjen në dispozicion të spitalit “Shefqet Ndroqi” si një spital Covid2, edhe laboratori i Hemodinamikës që është aty, është i gatshëm për të gjithë rastet e pacientëve të cilët mund të trajtohen me me Covid, por kanë nevojë për një ndërhyrje të specializuar, jo invasive në zemër”, tha Manastirliu.

Ndërsa nga ana tjetër doktori Artan Goda, shefi I shërbimit të Kardiologjisë 1 u shpreh se qendra e hemodinamikës në QSUT ka një rritje substanciale të volumit të punës së kryer në vitin e fundit.

Sipas tij sfidë mbetet zgjerimi i gamës së ndërhyrjeve, duke theksuar se qendrat publike përballojmë rreth 90 % të ndërhyrjeve në vend. e.su./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!